Sot, ish të përndjekurit kërkojnë nga shteti të zbardhet e vërteta dhe tu rikthehen letrat me vlerë që i depozituan në shoqërinë “shpresa”. Por për tu njohur më mirë më historinë e këtij mashtrimi Top Story mori në intervistë ortakun e vetëm që jeton akoma, të shoqërisë “shpresa” në Vlorë.

Shoqata e ish të përndjekurve politik të Vlorës krijoi një komision. Jo shoqëri Shpresa. Por një komision, përfaqësues para institucioneve për letrat me vlerë, për të privatizuar nga shteti prona në favor të ish të dënuarve. Pranova edhe unë për të kontribuar për këtë problem”, rrëfen Xhavit Ormeni, ish-ortak i shoqatës “Shpresa”.

Pra qëllimi fillestar nuk ka qenë për të bërë një kompani private por një shoqëri me bord prej 5 vetash që përfaqësonte ish të përndjekurit. Kjo shoqëri do merrte pjese ne ankand për të privatizuar anijen Arbëria dhe Tirana. Por pronarë dhe aksionarë të këtyre anijeve do ishin të gjithë ish të përndjekurit që kishin derdhur letra me vlerë.

“Ne bëmë akt marrëveshje, një akt noterial kur merrnim përsipër që veprimet tona do të ishin unanime, çdo veprim duhet të kishte 5 firma do të ishte i pavlefshëm”, rrëfen Xhavit Ormeni, ish ortak i shoqatës “Shpresa”.

Kryetari komisionit të kësaj shoqërie, Filip Daullja, që sot nuk jeton më, ka bërë një mashtrim në agjencinë e privatizimit. Duke i kaluar anijet në emrin personal të anëtarëve të komisionit. Pra nuk u bënë pronarë mijëra ish të përndjekur, por u bënë pronar vetëm 5 veta që ishin në bordin e shoqërisë “shpresa”.

“Çfarë bëri AKP-ja që u zbulua edhe më vonë. E hoqi kërkesën tonë, nuk gjendet, që kam firmosur edhe unë. Ose e kanë dhe nuk e tregojnë. Aty thuhej që Anijet do jenë pronë e ish të përndjekurve. AKP-ja nxori autorizimin ne emër të 5 personave privatisht”, rrëfen Xhavit Ormeni, ish ortak i shoqatës “Shpresa”

Xhavit Ormëni thotë se u bë pjesë e këtij mashtrimi pa dijeninë e tij sepse i kishin falsifikuar firmën. Ai prishi marrëdhëniet me shokët e tij të komisionit. Por edhe pse përmes mashtrimit të të tjerëve, ai sot ligjërisht quhet pronar i vetëm këtyre dy anijeve.
“Por ne po ta kishim me paratë tonë ishte OK. Por ne s’kishim të drejtë të përdornim paratë e të tjerëve. Por, AKP e nxori, mbaroi puna, unë quhesha pronar. Por unë e dija se më doli emri si anëtar komisioni”

Por pas privatizimit anijet filluan të punonin dhe bënë disa rrugë në ujërat ndërkombëtare. Por shumë shpejt ato humbën gjurmët dhe u zhdukën.
“Kam shkuar në anije në konstanca ku do ngarkonte, për në ishujt Komore, në dhjetor të ‘96, shkova dhe vura kokën në rrezik. E dija që anije ne kishte mafia. Edhe kapiteni i anijes ishte vlonjate. E mora anijen në dorëzim. Por u sëmura, nga zemra. Kapiteni njoftoi ministrinë, ata të Egjiptit më morën me skaf dhe më çuan në spital në Egjipt dhe anija iku, u shit e mori mafia.

Edhe sot nuk dihet saktësisht fati i këtyre dy anijeve që kanë qenë krenaria e flotës detare të Shqipërisë. Sot ka ngelur vetëm pritja e qindra ish të përndjekurve se mos ndoshta shteti do ta zgjidhi këtë çështje. Por përveç zotit Xhavit Ormëni që kërkon ti ndihmojë, askush nuk duket se ka interes të merret me ata.

Top Channel