Mrekullia në Napoli/ Ndodh çudia me gjakun e shenjtit mbrojtës të zonës

22/09/2020 02:36

Në Napoli është përsëritur mrekullia e San Gennaros: gjaku i tharë i shenjtit mbrojtës të zonës mori forme të lënget! Lajmi u dha nga kardinali Crescenzio Sepe përpara një kishe thuajse të zbrazur për shkak për masave kundër Covid-19.

“Me gëzim dhe emocion njoftoj se gjaku u shenjtit tonë u lëngëzua”, tha ai, duke shpallur kështu përsëritjen e mrekullisë që konsiderohet një ogur i mirë për Napolin e Campanian.

Kardinali sqaroi se këtë herë, gjaku ishte bërë lëng krejtësisht dhe pa koagulime sic ka ndodhur herë të tjera. San Gennaro ka qenë peshkop i Napolit në shekullin e tretë dhe eshtrat e gjaku i tij ruhen në katedralen e Santa Maria Assunta si relike. Ai besohet të jetë martirizuar gjatë periudhës së persekutimit të të krishterëve prej Perandorit Diokleciani.

Lëngëzimi i gjakut të shenjtit ndodh zakonisht tre herë në vit, e ndonëse kjo mrekulli nuk njihet zyrtarisht nga Kisha Katolike, ai pranohet nga vendasit. Nëse gjaku nuk lëngëzohet, kjo shihet si shenje trazirash, lufte, ose fatkeqsish të ndryshme. E ndërsa ka skeptikë mendojnë se kjo është vetëm një hile kimike, mjaft të të tjerë besojnë vërtet tek mrekullia.

Top Channel