TIRANË-  Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës, Heroin e Popullit, Avni Rustemi me rastin e 125 vjetorit të lindjes së tij.

Përmes një postimi në facebook, kreu i Shtetit shpreh mirënjohje të thellë për aktin e tij patriotik. Prej gati 30 vitesh Avni Rustemi nuk ka marrë asnjë dekoratë nga shteti shqiptar.

“Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës.” shkruan Meta në postimin e tij.

Kujtojmë se Meta e lidh figurën e tij politike me atë të vetë Avni Rustemit, ku disa kohë më parë deklaroi se nuk është i racës së Gruevskit, por i Avni Rustemit.

Postimi i plotë:

Me rastin e 125-vjetorit të lindjes, në vlerësim dhe mirënjohje të thellë për aktin e Tij të lartë patriotik, që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali, kam sot nderin dhe privilegjin të vlerësoj Heroin e Popullit, Avni Rustemi, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës.

Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës.

Top Channel