Mbledhja e Këshillit Politik, Vasili: s’mund të vazhdojmë diskutimin mes ferrave, drizave e poshtërsirave politike

22/09/2020 17:46

Nënkryetarit i LSI-së dhe përfaqësuesi i saj në Këshillin Politik, Petrit Vasili pas mbledhjes së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore tha se qëndrimi i Damian Gjiknurit është një bojkotim i plotë i mbledhjes.

Ai theksoi për mediat se nuk mund të vazhdojnë të diskutojnë në një fushë politike me ferra, me driza dhe me poshtërsirave politike duke prodhuar dije të ndryshimeve të njëanshme të minutave të fundit.

Dua t’iu bëj një gjë të qartë. Sot ne vendosëm në tavolinë draftin. Qëndrimi i zotit Gjiknuri ishte bojkotimi i plotë, ose më keq akoma tha që a mund t’i drejtohem unë me një pyetje OSBE/ODIHR-it dhe ne i thamë ke dakordësinë tonë të plotë së bashku me të gjithë çështjet e tjera. Jo tha zoti Gjiknuri, vetëm pyetjet që bëj unë mund të shkojnë te OSBE/ODIHR, pyetjet që bën opozita nuk mund të shkojnë, që ishin çështje madhore. Praktikisht ju e dëgjuat vetë dhe besoj ishit shumë të qartë dhe të vëmendshëm, që zoti Gjiknuri pohoi dhe e konsideroi thjesht dhe vetëm një këshill konsultativ, siç tha përpara jush, që nuk ka vendimmarrje, duke marrë përgjegjësi shumë të rëndë përpara shqiptarëve, por edhe përpara faktorit ndërkombëtar për minimin dhe shkatërrimin që do t’i bëjë Këshillit Politik Partia Socialiste. Këshilli Politik ka qenë një këshill vendimmarrës dhe marrëveshja e 14 janarit përcakton qartë që produkti konsensual i Këshillit Politik shkon dhe miratohet në sallën e Parlamentit. Sot të tmerruar nga ideja dhe realiteti i humbjes së zgjedhjeve thonë që Këshilli Politik qenka thjesht një organizëm konsultativ, pra për mos t’u dëgjuar, për mos t’u respektuar e për t’u anashkaluar. Dhe e dyta që ju përcollët vetë, Gjiknuri dhe partia që përfaqëson tha qartë para jush që partitë politike e bëjnë ligjin sipas interesit të tyre.Ne nuk jemi këtu si opozitë e bashkuar për interesat e partive politike tonat. Jemi vetëm për interesin më të mirë të shqiptarëve, që të kenë mundësi të zgjedhin lirë, pa presion, pa trysni, pa kriminalitete dhe populli të vendos vetë se kë do ai që ta qeverisë. Ndërsa për këta, ligji është vetëm interesi politik, pazari i ditës dhe shqip Gjiknuri thotë “Unë do ta pres e do ta qep kodin zgjedhor si t’i shkojë më mirë Partisë Socialiste.” Këto të dyja tregojnë fare qartë se cili ka qenë qëllimi i ndryshimeve kushtetuese, si ka qenë sjellja e Këshillit Politik. Është shumë e qartë për gjithë shqiptarët po dhe për ndërkombëtarët, për këdo ndërkombëtar që mund të ketë pasur edhe iluzionin më të vogël, korrektesës politike që këtu kanë qenë vetëm e vetëm për të minuar me çdo kusht veprimtarinë e Këshillit Politik për një arsye shumë të thjeshtë. Këshilli Politik është një këshill i cili diskuton në mënyrë shumë transparente, të qartë, konsultohet me ndërkombëtarët, është në praninë e tyre me praktikat më të mira dhe prodhon një produkt i cili në çdo rast është konsensual dhe për këtë arsye nuk pëlqehet. Duhet patjetër të jetë e njëanshme, të vendoset si duan ata dhe të rrëmbejnë çfarë duan ata në tavolinë. Ndaj kjo është edhe arsyeja pse ne konfirmuam qartë që të zgjidhim këtë problem të madh parimor që ka të bëjë më çështjen e koalicioneve dhe vazhdojmë më tej diskutojmë për çështjet e tjera. Por nuk mund të vazhdojmë të diskutojmë në një fushë politike me ferra, me driza dhe me poshtërsira politike duke prodhuar dije të ndryshimeve të njëanshme të minutave të fundit. Por, pa e pastruar këtë fushë nuk mund tu themi shqiptarëve që ky ishte produkti më i mirë që kishim për ta sepse e kundërta do ndodhte, do thonin ky është mashtrimi i radhës që ne gatuam për ju. Dhe për këtë ne nuk na kanë ortak në këtë çështje“, tha Vasili.

Top Channel