Shumë evropianë po vuajnë ende pasojat e izolimit të parë. Ndërsa tani po flitet për një izolim të dytë. A mund të evitohet kjo?
Edhe vetë drejtuesit e vendeve të BE-së, e cilësojnë një izolim të dytë dhe pasojat e tij, katastrofale dhe të papërballueshme. Numri i infektimeve në Evropë ndërkohë ka kaluar shifrat edhe nga piku i infektimeve në fazën e parë në pranverë të këtij viti. Me rritjen e shifrave po shtohen edhe shqetësimet për një izolim të dytë. Pasojat më të rënda ekonomike nga mbyllja në pranverë kanë përjetuar Spanja dhe Franca, e pikërisht në këto vende po shtohet më së shumti numri i infektimeve së fundi.
Franca megjithatë do të evitojë futjen e masave kufizuese në gjithë vendin, aq sa është e mundur. Autoritetet kanë vendosur që të fusin masa kufizuese në qytetet e prekura. Atje ndalohet tubimi i shumë njerëzve në një vend, janë futur masa kufizuese në bare dhe ndalohen vizitat në orarë të caktuara në shtëpitë e të moshuarve. Në Paris dhe rajone të tjera duhet të barten parimisht maskat me të dalë nga shtëpia.
Nga e hëna masa të rrepta u vendosën edhe në Madrid. Në gjashtë pjesë të qytetit dhe shtatë komuna njerëzit mund të dalin nga shtëpia vetëm për nevojat më të rëndësishme – për të shkuar në punë, vizitë te mjeku, për të shkuar në shkollë etj. Masa të ngjashme kufizuese do të merren edhe në pjesë të tjera të vendit, si në Majorca. Një izolim të dytë, duan ta evitojnë të gjithë pasi pasojat tek ekonomia, do të ishin katastrofike. Ndaj vëmendja është drejtuar te rregulla të caktuara në rajone të veçanta.
Në Britaninë e Madhe situata është e ndryshme. Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock tha pak ditë më parë se një izolim i plotë është një skenar që duhet evituar, por sidoqoftë, autoritetet janë të përgatitur për këtë skenar. Studiuesit ndërkohë i kanë rekomanduar qeverisë britanike një izolim dyjavor në kohën e pushimeve të vjeshtës, në tetor.
Top Channel