Gjiganti i fluturimeve Airbus ka zbuluar planet për atë që konsiderohet si avioni i parë komercial me zero emetime.

Kompania tha se avionët e pasagjerëve që do të operojnë tërësisht me hidrogjen mund të jenë në shërbim deri në 2035-ën.

Shefi ekzekutiv i Airbus, Guillaume Faury tha se avionët me zero emetime përbëjnë një moment historik për sektorin e aviacionit komercial.

Përdorimi i hidrogjenit ka potencialin për të reduktuar në mënyrë domethënëse pasojat tek klima – shtoi ai. Sidoqoftë, analistët tregojnë se kjo nuk është hera e parë që hidrogjeni është parë si shpëtimtari i udhëtimeve moderne ajrore.

Që në vitet 2000-2002, Airbus u përfshi në një projekt të financuar nga BE-ja që studionte fisibilitetin e një avioni që punon me hidrogjen të lëngshëm. Por ideja u la në harresë, deri më tani. Duke zbuluar projektet e tij më të fundit, airbusi prezanton tre modelet e të ardhmes, Turbofan që mund të mbajë deri në 200 pasagjerë, Turboprop me kapacitet 50 përqind më të vogël dhe projektin e tretë, që ishte edhe më goditësi.

Të tre avionët do të marrin fuqi nga motorë me turbina gazi të modifikuara për të djegur hidrogjen të lëngshëm e madje edhe energjia elektrike do të prodhohet nga hidrogjeni. Sidoqoftë, Airbus pranon se që ideja të funksionojë, aeroportet duhet të investojnë shuma të mëdha parash për infrastrukturën.

Top Channel