Për faj të përmbarimit humbet pronën. Kjo është historia e Neta Shtëmbarit, zonjës që kërkoi ndihmën e Fiks fare në emisionin “Dua të të bëj të lumtur”.

Nga studio e këtij emisioni, zonja Shtembari kërkoi ndihmën e gazetarëve të Fiks fare për të zbardhur të vërtetën e marrjes së dyqanit të saj në kundërshtim me ligjin nga Zyra Përmbarimore e qytetit të Lushnjes.

Zyra Përmbarimore e Lushnjes ka ekzekutuar gabim vendimin e gjykatës, pasi nuk ka parë numrat e pasurisë të pronës. Përmbaruesi nuk ka sekuestruar pasurinë e vlerësuar nga ekspertja, por një pasuri tjetër.

Znj Shtëmbari kërkon që t’i merret prona që është shënuar për sekuestrim, por prej vitesh troket nëpër dyert e institucioneve ku nuk ka gjetur drejtësi .

Gjithçka ka filluar në vitin 2007 ku znj.Neta ka lidhur një kontratë huaje ku i merrte dikujt tjetër një borxh me vlerë 1 300 000 lekë, me premtimin për t’i shlyer brenda dy viteve. Borxhin nuk e ktheu dot dhe me të drejtë huadhënësi e hedh në gjyq dhe del fitues. Meqë në pronësi të famijes së saj znj. Shtëmbari kishte dy objekte , përkatësisht një dyqan në rrugën kryesore dhe mbrapa tij një dyqan (magazinë). U vendos nga gjykata që të sekuestrohej njëra nga pronat për të shlyer huan e marrë që tashmë kapte vlerën e 2.023.850 lekë.

Pikërisht këtu fillon dhe kalvari i sorollatjeve për znj. Shtëmbari. Të dyja pronat janë në të njëjtën zonë kadastrale 8572 në lagjen ” Skënder Libohova” Lushnje, por me numër pasurie të ndryshme 8/102 dhe 8/112, përkatësisht me sipërfaqe 15 m2 dhe 12 m2

Zyra e Përmbarimit ka nxjerrë në ankan pronën e gabuar, duke sekuestruar dyqanin që ishte buzë rrugës dhe jo atë që ka vlerësuar ekspertja.
Përgjegjësi i kësaj zyre z. Indrit Kashari thotë se është i ri në detyrë dhe do t’i duhej kohë që të njihej me dosjen.

Fiks fare kërkoi për katër muaj një përgjigje nga kjo zyrë përmbarimore, por asnjëherë përgjegjësi i përmbarimit Lushnje nuk dha një përgjigje se kush duhet të mbante përgjegjësi për këtë gabim. Ndërkohë që për këtë gabim të kësaj zyre, zonja duhet të fillojë edhe një herë kalvarin e gjyqeve për të fituar të drejtën e saj.

Top Channel