Kolegji bllokon dy gjykatat/ 7 gjyqtarë që do shqyrtojnë ankesat e zgjedhjeve, kandidatë për Gjykatën e Lartë

21/09/2020 19:55

Reforma zgjedhore, e miratuar më  23 korrik me konsensus nga të gjitha palët politike, po shikohet nga qeveria si pengesë për Reformën në Drejtësi.

Ministrja e Drejtësisë po kërkon ndryshimin e rregullave të lojës  për gjyqtarët zgjedhorë, vetëm 2 muaj pasi kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca votuan në parlament ndryshimet që prekin kolegjin zgjedhor.

Nga tetë gjyqtarë zgjedhorë të betuar si trupa që do të shqyrtojë ankesat për zgjedhjet e 2021, vetëm Edlira Petri nuk ka shprehur interesin për në  Gjykatën e Lartë. Shtatë të tjerët përpara se të përzgjidheshin nga shorti synonin të bëheshin gjyqtarë supremë, një ambicie që  ndërpritet nga ndalesat e ligjit për ngritjen në detyrë të tyre, për të cilin Etilda Gjonaj i kërkon parlamentit ta ndryshojë.

Gjonaj e llogarit ketë ndalesë si një ngërç për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj në Gjykatën e lartë që sipas saj sjell pasoja të drejtpërdrejta edhe në plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Shprehimisht duke kërkuar shfuqizimin e një pike në  nenin 149  në kodin zgjedhor, Gjonaj e cilëson ketë nen si pengesë serioze për mirëfunksionimin e dy gjykatave si dhe avancimin e reformës në drejtësi.

Ministrja sjell në vëmendje përplasjen mes dy reformave edhe sa i përket procedimit disiplinor të gjyqtarit zgjedhor, që sipas kodit zgjedhor ai ka mbrojtje të posaçme dhe nuk i nënshtrohet procedimit për të qëndruar jashtë presionit politik.

Por ndërkohë reforma në drejtësi nënvizon se çështja e procedimit të gjyqtarëve është kompetencë e dy institucioneve të reja të reformës KLD dhe KLGJ dhe sipas ministres veç prekjes së statusit të gjyqtarëve të garantuara nga reforma cenohen edhe kompetencat e inspektoratit të drejtësisë.

Ndaj dhe në ketë pikë ministrja kërkon ndryshim të ligjit dhe mbrojtje të posaçme të një gjyqtari të tillë vetëm për episode të përfshirjes në kolegj zgjedhor, kurse për të tjerat ai duhet të trajtohet si çdo gjyqtar tjetër për të shmangur sipas Gjonaj trajtimin e privilegjuar.

Top Channel