Mbretëria e Bashkuar gjendet në një pikë kritike në të cilën mund të ndërmerren edhe masa më kufizuese për të ngadalësuar përhapjen e covid 19.

Këtë e ka njoftuar sekretari britanik i shëndetit, Matt Hancock. Njerëzit kanë ulur vigjilencën gjatë verës – ka thënë ai, – por tani është momenti në të cilin të gjithë duhet të kthehen e të ndjekin rregullat. Sekretari i shëndetësisë më pas ka treguar se po diskutohet për një izolim të mundshëm edhe në Londër.

Kryeministri Boris Johnson tha këtë javë se mbretëria e bashkuar po përballet me valën e dytë të covid 19 dhe ka hartuar kufizime të reja për banorët në rajonet veriore, veri perëndimore dhe qendrore të Anglisë, që edhe janë goditur më rëndë. Mes këtyre masave, qeveria britanike e ka bërë të detyrueshëm ligjërisht vetëizolimin, duke filluar nga 28 shtator për personat që rezultojnë pozitiv në test ose që janë thirrur ta bëjnë atë nga shërbimi kombëtar shëndetësor. Mënyra më e mirë për të luftuar virusin është që të gjithë të ndjekin rregullat dhe që personat që rrezikojnë ta transmetojnë sëmundjen, të izolohen – ka thënë kryeministri.

Shqetësuese është situata edhe në Spanjë. Në Madrid, më shumë se 200 policë janë dislokuar për të kryer dhjetëra kontrolle të rastësishme duke filluar nga e hëna, kur fillojnë izolimet lokale në gjashtë lagje të kryeqytetit. Në izolim do të jenë më shumë se 800 mijë persona në të gjithë rajonin, më të goditurin në vend. Masat e kufizimit kanë rezultuar problematike me shumë banorë që kanë protestuar kundër asaj që e konsiderojnë diskriminim ndaj zonave më të varfra. Kufizime janë vendosur edhe në disa pjesë të Holandës, me baret që duhet të mbyllen më herët dhe me kufizim të tubimeve. Javën e shkuar, rregulla të reja janë shpallur edhe në Islandë, Danimarkë dhe disa pjesë të Francës po ashtu.

Në këtë të fundit janë regjistruar mbi 10 mijë raste në 24 orët e fundit, një rritje e ndjeshme krahasuar me ditët e mëparshme. Shkalla e infektimeve vazhdon të rritet ndërkohë që është rritur edhe numri i viktimave, 311 vetëm të dielën.

Top Channel