Izolim i ri apo jo? Boris Johnson fundjavë reflektimi

20/09/2020 01:44

Boris Johnson do të kalojë fundjavën duke marrë në konsideratë nëse do të forcojë apo jo masat në Angli pasi tha se Britania e Madhe tani po sheh një valë të dytë të koronavirusit. Qeveria mësohet se po kërkon një ndalim të tubimeve përtej anëtarëve të një familjeje dhe reduktimin e orëve gjatë të cilave pabet dhe restorantet do të qëndrojnë hapur.

Të paktën 13.5 milionë njerëz, rreth një në pesë banorë të Britanisë, përballen aktualisht me kufizime lokale. Në Londër, masat shtesë do të shtohen po ashtu – tha kryebashkiaku i saj.  Sidoqoftë, shkollat dhe vendet e punës do të mbeten të hapura. Vetë Johnson ka fuqi direkte për kufizime vetëm në Angli. Për Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut, vendosin qeveritë lokale.

Një rritje e madhe infektimesh është regjistruar në të gjithë vendin me rastet që po dyfishohen çdo shtatë apo tetë ditë. Të premten u konfirmuan 4322 raste të reja, hera e parë që numri ditor i testeve pozitive kalon 4 mijë që nga 8 maji. Ndërkohë, qeveritë në të gjithë Evropën kanë shpallur masa të reja për të luftuar rritjen e infeksioneve.

Top Channel