Të dënuar për propagandë me qëllime terroriste, kush janë 4 personat që OFL u kërkon të deklarojnë burimin e pasurisë

18/09/2020 14:25

Astrit Tola, Orion Reçi, Shkëlzen Dumani dhe Saimir Alimehmeti janë katër personat që do u duhet të deklarojnë pasurinë e tyre për llogari të Operacionit Forca e Ligjit.

Konkretisht, Astrit Tola., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, kryer në bashkëpunim dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, kryer në bashkëpunim;

Orion Reçi., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit”, kryer në bashkëpunim, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, kryer në bashkëpunim  dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, kryer në bashkëpunim;

Shkëlzen Dumani., banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “Rekrutimi i personave me qëllim kryerjen e veprave terroriste”, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve”;

Saimir Alimehmeti., banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Neë York-ut (SHBA), me 22 vite heqje lirie, për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Top Channel