Një koleksion librash të rrallë me vlerë rreth 3 milionë euro të vjedhur tre vjet më parë në një magazinë në Londër, janë gjetur së fundmi në Rumani.
Policia zbuloi koleksionin me vlera historike ku përfshiheshin volume nga Galileo, Isaac Newton dhe piktori spanjoll Francisco Goya, nën një dysheme betoni në një shtëpi rurale në veri të Rumanisë.
Plaçka e grabitjes në Londër në 2017 ishte fshehur nga familja kriminale Clamparu. Gangsterët kishin shënjestruar koleksionin e depozituar përkohësisht në Feltham, para udhëtimit drejt Las Vegas, ku do të nxirreshin në një ankand specialistësh.
Vjedhësit kishin hyrë nga çatia e ndërtesës të varur në litarë për të mos aktivizuar sinjalet e alarmit dhe kishin zgjedhur vetëm volumet më të çmuara.
Librat më pas u ngarkuan në 16 çanta të cilat u ngritën përsëri lart para se të largoheshin me një kamion.
Policia tha se koleksioni kishte rëndësi ndërkombëtare dhe ishte i pazëvendësueshëm.
Në operacionin e zbulimit të tyre u përfshinë policia britanike, policia rumune, karabienierët italianë si dhe agjencitë ndërkombëtare Europol e Eurojust.
Policia britanike tha se klani Clamparu njihet për vjedhjet e specializuara, teksa më pas objektet nxirreshin jashtë Britanisë nga anëtarët e bandës, me mënyra të ndryshme transporti.
Hetimet ndaj grupit sollën arestime të shumta dhe kontrolle në 45 adresë në Britani, Rumani e Itali.
Informacionet e marra prej tyre solën zbulimin e shtëpisë në Rumani ku mbaheshin librat.
Nuk dihet shumë për aktivitetin e grupit Clamparu, megjithse një nga anëtarët e tij kryesore Ioan Clamparu u arrestua në Spanjë në 2011 për trafik klandestinësh.
Ioan, i njohur ndryshe si ‘Koka e derrit’, u dënua me 30 vjet burgim në 2012 për trafikimin e më shumë se 100 femrave në Spanjë në vitet 2000 deri në 2004, ku ato detyroheshin të prostituonin.
Ai ishte dënuar në Rumani me 13 vjet burg për trafik drogash e klandestinësh ndërsa në 1989 ishte dënuar me 15 vjet për vrasje.
Top Channel