Kryqëzimi i rrezikshëm i Cërrikut/ Në rrugën me trafik të rënduar kalojnë edhe shumë këmbësorë, shumica fëmijë

18/09/2020 15:40

I quajtur kryqëzimi i Cërrikut, ky është një nga akset më të rrezikshme të qytetit të Elbasanit.

Një kryqëzim i cili lidh, jo vetëm aksin nacional Elbasan Librazhd, apo në anën tjetër Elbasan Tiranë, por edhe rrugët e fshatrave në drejtim të qytetit. Kjo e bën një nga kryqëzimet më të ngarkuara, por edhe më të rrezikshme, deri në momentin që këmbësore dhe mjete duhet të ndajnë të njëjtën rruge.

Kjo rrugë bëhet më e rrezikshme në oraret e shkollave kur duhet të kalojnë prindër e fëmijë dhe në fundjavë, në ditët e shtuna dhe të diela ku për shkak të tregjeve rruga ngarkohet edhe më tej ndërsa trafiku shkon deri në dalje të Elbasanit.

Rastet e aksidenteve nuk kanë munguar. Vetëm një ditë më parë, një fëmijë u përplas nga një mjet pikërisht në këtë kryqëzim, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Disa herë Bashkia e Elbasanit ka dërguar kërkesë në Autoritetin Rrugor Shqiptar për të ndërhyrë në këtë rrugë. Mbikalimi apo nënkalimi është një nevojë e domosdoshme.

Top Channel