Hetim për “gjakmarrje dhe drogë”/ Atentati me bombë, merren në pyetje disa persona

18/09/2020 15:17

Në vendngjarjen ku pak ditë më parë shpërtheu  në ecje automjeti me të cilin udhëtonte Preng Gjini nuk ka më gjurmë. Por gjurmët që prokuroria po ndjek për të zbuluar autorët e atentatit me të dëmtuar Gjinin,  janë mbi 27 kamera të siguruara deri më tani në të gjithë Tiranën si dhe  efektet e përplasjes me fisin Reçi.

Burimet e sigurta reagojnë se për këtë  dyshim  janë pyetur familjarë të kundërshtarit të Gjinëve, Kastëriot Reçi, vrarë me snajper në Rrëshen. Nga informacionet e marra tha një burim i Top Channel ka dyshime të forta se shpërthimi i komanduar me pult u krye për konfliktet mes Reçëve dhe Gjinit dhe ekuilibrave të prishur nga pazaret e drogës. Burimet tregojnë se të fokusuar tek pista e hakmarrjes dhe gjakmarrjes, kanë pyetur Alfred Reçin,  vëllai i Kastëriot dhe Tonin Gjinit që të dy të vrarë si dhe janë kontrolluar shtatë banesa të fisit Reçi.

“Punoj si fotograf” mësohet të ketë dëshmuar Alfred Reçi dhe ditën e ngjarjes isha në një ceremoni mortore, me tej në zyrë dhe në mbrëmje në kafene . Nuk kam asnjë hasmëri shton më tej ai, dhe ngjarjen e mësova nga mediat. Të njëjtën alibi japin edhe nipat.

Burimet shtojnë se është pyetur në spital edhe i plagosuri Preng Gjini. Edhe ai këmbëngul se nuk ka asnjë hasmëri dhe  po ashtu nuk ka asnjë dyshim se përse ishte organizuar ky atentat.

Top Channel