​Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në “ Facebook” për vendimin e marrë nga Këshilli Politik ditën e sotme për hapjen e listave të kandidatëve me 100%.

Balla shprehet se lista e kandidatëve të partive apo koalicioneve zgjedhore do të jetë 100% dhe si shembull duhet të merren Austria, Kroacia, Republika Çeke dhe Suedia.

Në fund deputeti socialist ka edhe një thirrje për opozitën jashtëparlamentare, duke e ftuar ta votojë Kodin Zgjedhor sepse zgjedhjet e 25 prillit po afrohen.

Postimi i plotë i Ballës:

“LISTA E KANDIDATËVE të partisë apo të koalicionit zgjedhor do të jetë 100% E HAPUR. Të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon. Një parim i tillë aplikohet në një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të ri-rëndisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale. Në vëmendje mund të sjellim shembujt e Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Suedisë.

Nuk ka sisteme elektorale perfekte dhe as sisteme elektorale qe u japin pakicave fitoren ne tavoline nuk jane shpikur akoma! Prandaj eshte koha per ta votuar Kodin Zgjedhor duke diskutuar intensivisht mes palëve dhe duke i harruar shantazhet, akuzat dhe bllofet! Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe ne s’mund të presim gjatë për votimin e risive që reflektojnë ndryshimet kushtetuese”, shkruan Balla në postimin e tij.

 

Top Channel