5 pika kontrolli në Lezhë/ Policia hyn në banesa dhe lokale, ndalohen 3 persona të shpallur në kërkim

18/09/2020 15:34

“Plan masash për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale dhe rendit publik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, atyre me tendencë në krimet kundër personit”, bën me dije Policia e Lezhës.

Në zbatim të planit operacional janë angazhuar të gjitha shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë , në mbështetje nga F.N.SH Shkodër.

Në të gjithë Qarkun prej orës 18:00 të ditës së djeshme janë ngritur 5 pika kontrolli në akset rrugore nacionale dhe në brendësi të qyteteve. Janë ushtruar kontrolle në dhjetëra mjete, banesa, lokale dhe ambiente të ndryshme.

Si rezultat është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, është proceduar penalisht 1 tjetër , si dhe janë ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe tri armë zjarri.

Në njoftim shkruhet:

“Në qarkun e Lezhës është arrestuar në flagrancë shtetasi P. B., pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lekësh të dyshuara të përftuara nga aktiviteti i paligjshëm në fushën e narkotikëve. Është proceduar penalisht shtetasi H. D., pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua një armë gjahu që e mbante pa leje. Janë ndaluar shtetasit A. G., Gj. G dhe N. G., të shpallur në kërkim për veprën penale Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës“.

Top Channel