Në një lokal në zonën e Bradasheshit në Elbasan, mëngjesin e kësaj të enjteje ndodhi një vrasje e cila dyshohet se lidhet me vjedhjen e miliona eurove në Rinas vitin e kaluar.
Viktima është Bujar Çela, 62 vjeç, vëllai i Talo Çelës, i cilësuar si një nga personat më të kërkuar nga policia, për të cilin është vendosur edhe një shpërblim, pasi ai dyshohet së është përfshirë pikërisht në grabitjen e Rinasit si dhe në vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, në 27 prill të këtij viti në Durrës.
Sipas burimeve të policisë, dyshohet se Bujar Çela, është ekzekutuar nga dy persona të maskuar, të cilët kanë dal nga një automjet dhe ka qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit dhe bizneseve aty pranë, për të hedhur më shumë dritë mbi vrasjen.
Menjëherë pas ngjarjes, autorët kanë ardhur pikërisht këtu, në fshatin Murras, disa kilometra larg Bradasheshit, ku dyshohet se kanë djegur edhe automjetin tip Renault, me të cilin dyshohet se kryen ekzekutimin e Bujar Çelës. Siç mund të shihet tashmë këtu kanë mbetur vetëm gjurmët e makinës së djegur.
Pista kryesore ku është përqendruar grupi hetimor, është e shkuara e vëllait të viktimës, Talo Çelës. Ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe vjedhje në bashkëpunim.
Çela, dyshohet se ka qenë pjesë e grupit që grabitën milionat e eurove në Rinas, ngjarje që lidhet edhe me vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës.
Një nga të arrestuarit për këtë ngjarje, Klevis Alla, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, ka treguar se Çela, ka kërkuar nga vëllezërit Haxhia, të tregonin se ku i ishin fshehur paratë e grabitura në Rinas. Por që me 27 prill të këtij viti ata u ekzekutuan brenda në automjetin e tyre. Ndërsa gjatë grabitjes në Rinas mbeti i vrarë Admir Murataj.
Top Channel