Të gjatë, bjondë, luftëtarët skandinavë arritën të linin gjurmën e tyre në mbarë Evropën.
Mendonim se i dinim të gjitha për ta. Por e paskemi pasur gabim. Një studim i ri, mjaft i gjerë e i thelluar, zbuloi se shumë vikingë në fakt kishin flokë gështenjë dhe nuk ishin vetëm nga Skandinavia. Në studimin 6-vjeçar, arkeologë e akademikë përdorën teknologjinë e avancuar për analizimin e më shumë se 400 skeleteve që u përkisnin vikingëve nga zona skandinave, e të tjera në Groenlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Ata zbuluan se vikingët nuk vinin vetëm nga Skandinavia; në linjën e tyre të gjakut kishte dhe gene nga Azia e Europa Jugore. Studimi i realizuar nga akademikë në Universitetin e Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universitetin e Kopenhagës në Danimarkë, lëkund shumë bindje të deritanishme.
“Rezultatet e tij tjetërsojnë perceptimin se kush ishte vërtet Viking. Besoj se mbi këtë temë, librat e historisë duhen përditësuar. Deri tani, ne nuk e dinim gjenetikisht se si dukeshin ata me saktësi”, tha një prej autorëve, Eske Willerslev.
Sipas tij, shumica e tyre nuk ishin aspak bjondë dhe kjo qe pasojë e fluksit gjenetik nga jashtë Skandinavisë.
Top Channel