SHBA-ja vendos sanksione ndaj grupit të hakerëve të lidhur me inteligjencën iraniane

17/09/2020 20:40

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka vendosur sanksione kundër një grupi iranian të hakerëve, dhe më shumë se 45 individësh të akuzuar për kryerjen e një fushate shumëvjeçare që kishte në shënjestër disidentët iranianë, gazetarët dhe kompanitë ndërkombëtare të udhëtimit.

Njoftimi i 17 shtatorit tha se Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit përdori grupin e hakerëve “Advanced Persistent Threat 39” (APT39) dhe kompaninë Rana, për të monitoruar “disidentët, gazetarët iranianë, ish-punonjësit e qeverisë, ambientalistët, refugjatët, studentët e universitetit dhe punonjës në organizata ndërkombëtare joqeveritare”.

Disa nga individët e shënjestruar i ishin “nënshtruar arrestimit dhe frikësimit fizik e psikologjik” nga inteligjenca iraniane.

“Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të kundërshtuar fushatat sulmuese kibernetike të krijuara për të rrezikuar sigurinë dhe për të shkaktuar dëme në sektorin ndërkombëtar të udhëtimit”, tha Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Steven Mnuchin, përmes një deklarate.

Tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë rritur që kur presidenti amerikan, Donald Trump, më 2018 u tërhoq nga një marrëveshje e rëndësishme bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore nën të cilën Irani u zotua të frenonte ambiciet e tij atomike në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Përveç rivendosjes së sanksioneve, Uashingtoni ka akuzuar Iranin për financimin e ekstremizmit në Lindjen e Mesme, gjë që Irani e mohon. REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA