Ashtu siç kishin paralajmëruar më herët naftëtarët e Ballshit janë zhvendosur sot duke protestuar para ministrisë së Infrastrukturës ku kërkojnë jo vetëm 20 pagat e prapambetura, por edhe rifillimin e punës pranë rafinerisë.
“Kërkojmë pagat e prapambetura. Kemi fituar gjyqet por nga zyra e Përmbarimit na thonë që janë ndaluar fondet. Jemi pa punë dhe nuk kemi me çfarë të jetojmë. Kërkojmë të rinisim sa më shpejt punën në rafineri. Protestat do t’i vijojmë sërish deri sa qeveria të na japë një zgjidhje.”
Protestës e cila ka devijuar deri ne konfrontim me forcat policore dhe në shoqërime të disa personave i janë bashkuar edhe aktivistët të Organizatës Politike.
“Do vazhdojmë të mbështesim naftëtarët sepse kanë të drejtën e tyre të kërkojnë nga shteti pagat e prapambetura. Do jemi me naftëtarët deri në fund, derisa të arrijnë një zgjidhje.”
Naftëtarët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave edhe në ditët në vijim dhe në rast se nuk do të ketë një zgjidhje nga qeveria, kanë deklaruar se do ti drejtohen gjykatës ndërkombëtare të Strasburgut.
Prej vitesh tashmë, situata e në rafinerinë e Ballshit nuk është e qëndrueshme, për shkak të ndërrimit të vazhdueshme të kompanive që e marrin në ngarkim.
Top Channel