Fotot/ Naftëtarët e Ballshit protestë para Ministrisë së Infrastrukturës, tension e përplasje me forcat blu

17/09/2020 11:32

Protesta e naftëtarëve të Ballshit është zhvendosur ditën e sotme para Ministrisë së Infrastrukturën në Tiranë, ku ka përplasje e tension me policinë.

Dhjetëra protestues janë grumbulluar me njëri-tjetrin duke u përballur me kordonin policor para ministrisë. Me pankarta nëpër duar që shprehin revoltë, ata po kërkojnë të drejtat e tyre pasi kompania ku punonin nuk e mbajti premtimin për pagat e prapambetura dhe rifillimin e punën.

Nga protesta e naftëtarëve janë shoqëruar disa persona në polici, pas ashpërsimit të toneve mes tyre. Protestës i janë  bashkuar edhe minatorët e Bulqizës.  Ata thonë se nëse nuk do të ketë reagim do t’i drejtohen edhe Gjykatës së Strasburgut, ndërsa deri tani nuk ka asnjë reagim.

Të veshur me maska, por pa asnjë distancë me njëri tjetrin ata kanë hasur edhe konfrontim fizik me forcat blu, duke kërkuar që të hyjnë brenda godinës së ministrisë. “Njeriu kur ndjen dhimbje është i gjallë, kur ndjen dhimbjen e tjetrit është njeri”, shkruhet në njërën prej pankartave të naftëtarëve.

Ata prej muajsh janë në protestë në Ballsh, pasi kompania punëdhënëse nuk i ka dhënë pagat e prapambetura. Shumë prej naftëtarëve jetojnë në vështirësi ekonomike bashkë me familjet e tyre.

FOTO GALERI
1/33

Top Channel