Korçë- 4 persona janë vënë në prangat e policisë së shtetit për shkak se akuzohen për transportim të emigrantëve ta paligjshëm.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

K. N., 23 vjeç dhe Xh. Q., 20 vjeç, banues në Korçë, të cilët janë kapur nga shërbimet e policisë në lagjen nr. 3, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, dy emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjatë ndjekjes, këta shtetas nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por u kapën dhe prangosën.

M. K., 46 vjeç, banues në Korçë, i cili u kap në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Çërravë, duke transportuar me mjetin e tij tip “Mazda”, tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu u bë ndalimi i shtetasit në kërkim, A. Th., 49 vjeç, banues në Durrës, i cili më datë 10.09.2020, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar dhe ka braktisur mjetin tip “Ford Transit” në afërsi të fshatit Hudënisht, Pogradec, me të cilin po transportonte kundrejt fitimit gjashtë emigrantë të paligjshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA