I sëmuri me HIV/AIDS pa trajtim mjekësor, shkak pandemia/ QSUT nuk e mban, spitalet rajonale nuk dinë ta trajtojnë

17/09/2020 20:40

I sëmuri me HIV/AIDS nuk mbahet për kurim në QSUT, por dërgohet në spitalet e rretheve ku mungon specializimi i duhur për mjekim .

Në emisionin Fiks Fare ka ardhur ankesa e një nëne për të birin e saj i cili është i sëmurë me HIV/AIDS. Limone Beqiri nga Pogradeci tregon se djali i saj 42 vjeç në bazë të analizave që kanë bërë para 1 muaji ka rezultuar i infektuar nga virusi HIV/AIDS që është rrezik për jetën e njeriut duke shkaktuar edhe vdekjen.

Gjithashtu ajo na rrëfen se i biri ka qëndruar për mjekim i shtruar një javë në Spitalin e Pogradecit. Pas kësaj kohe spitali e dërgoi për mjekim më të specializuar në Tiranë. Spitali i QSUT-së në Tiranë e kthen të sëmurin sërish në spitalin e Pogradecit. Ndërkohë Spitali Rajonal i Pogradecit kësaj here e dërgon të sëmurin jo më në Tiranë, por në spitalin e Korçës. Në fund të këtij rrugëtimi i sëmuri përfundon sërish në spitalin e Pogradecit, pasi edhe spitali i Korçës ka bërë të njëjtën gjë si Qsut-ja në Tiranë, duke mos e mbajtur të sëmurin për mjekim e kanë rrikthyer në Pogradec. Nëna e të sëmurit thotë se nuk dinë më ku të shkojnë, prandaj i janë drejtuar emisionit Fiks Fare . Ajo kërkon të dijë përse nuk pranohet djali i saj në spital? Bashkëpunëtorët e Fiksit me qytetaren shkojnë në spital ku nga kryeinfermierja marrin përgjigje se gjendja e të sëmurit u përkeqësua në spital.

Kryeinfermierja thotë gjithashtu se: – Djalin e sorollat Tirana dhe Korça ne nuk bëjmë dot asgjë.

Gjithashtu kryeinfermjerja thotë që i sëmuri të marrë një rekomandim nga mjekja e familjes për tek infeksionist dhe të vij përsëri në spital për mjekim. Gazetarët e Fiksit shkojnë takojnë drejtorin e spitalit për të marrë një përgjigje se përse i sëmuri me HIV/AIDS nuk mbahet në spital për mjekim?

Drejtori sqaron gazetarët se e njeh rastin në fjalë, por më specifikisht do të flasë me mjeken që e ka ndjekur pacientin. Ndërkohë ai tregon se në Tiranë dhe në Korçë të sëmurin e kanë dërguar pasi me HIV/AIDS ka qenë rasti i parë që ka ndodhur në Spitalin e Pogradecit dhe nuk kanë trajtuar ndonjëherë të sëmurë me këtë virus. Drejtori thotë se për këtë të sëmurë duhet të përgjigjet spitali Nënë Tereza në Tiranë, sepse ata nuk kanë çfarë të bëjnë.

Ai u shpjegon gazetarëve se pacienti është drejtuar drejt spitaleve të tjera për mjekim më të specializuar dhe se duhet të jetë QSUT-ja ajo e cila duhet t’u jap edhe protokollin e mjekimit mbi të cilin të ndjekin në spitalin e Pogradecit të infektuarin me HIV/AIDS. Gjithashtu gazetarëve të Fiksit drejtori u kërkon që t’i lënë një kërkesë me shkrim për këtë rast, pasi do konsultohej me mjeken që ka ndjekur specifikisht të sëmurin me virusin vdekjeprurës.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA