Fitoi betejën me Covid-19, deputeti shqiptar kthehet në Kuvend/ Apel qytetarëve

17/09/2020 11:59

Pasi fitoi përballjen me koronavirusin, deputeti i opozitës së re, Enver Roshi është rikthyer në Parlament.

Ditën e sotme, gjatë fjalës së tij, teksa falenderoi kolegët dhe qytetarët për mbështetjen, Roshi bëri apel për ndërgjegjësim. Ai u kërkoi qytetarëve që të kujdesen për veten dhe të marrin fatin e tyre në dorë, pasi po kalojmë në një situatë kur virozat e stinës dhe Covid-19 po “bashkëjetojnë”.

“Jam i emocionuar se kalova një situatë të rëndë shëndetësore. Jo vetëm ju, mjekëve, personelit shëndetësor. Dua t’u shpreh mirënjohjen qytetarëve të Shqipërisë që me mesazhet e tyre më kanë inkurajuar për t’u shërbyer atyre. Dhe unë i=u premtoj se do të jem një qytetar i denjë i gjithë shqiptarëve kudo që janë.  Kjo situatë e COVID ka të bëjë edhe me ndryshimin e klimës, sepse ndryshimi i klimës, prishja e ekuilibrit të natyrës prej mijëra vitesh cenon sot rëndë jetën e njerëzve në vendin tonë dhe kudo në botë”, u shpreh Roshi.

Më tej shtoi:

“Po kalojmë në stinën e virozave dhe bashkë me virozat është edhe COVID, prania e këtyre të dyjave, jetesa në ambiente të mbyllura në stinën e dimrit e bën më emergjente për shqiptarët që të bëhen më të ndërgjegjshëm dhe të marrin në dorë fatet e tyre.  Politika duhet të jetë në një zë në shërbim të qytetarëve dhe të dëgjojnë këshillat e mjekëve”.

Enver Roshi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë ishte ndër të parët që kaloi një gjendje të vështirë shëndetësore si pasojë e Covid-19 dhe u dërgua për kura të specializuara jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA