Drejtoria e Përgjithshme Detare në Durrës njofton se si rezultat i krijimit të një cikloni, me erëra të fuqishme dhe reshje shiu, nga mbrëmja e sotme deri më 19 shtator moti në zonën e Detit Jon në veri do të përkeqësohet.
Moti i përkeqësuar në jug të Italisë do të vazhdojë në drejtim të lindjes më konkretisht në zonën e Greqisë. Këto zona do të përfshihen nga era me shpejtësi deri në 60 milje në orë ku lartësia e dallgës së detit arrin në 5.5 metra dhe periudha 8 sek.
Ditën e premte dhe të shtunë vendi ynë do të përfshihet nga era me drejtim veri, veri-perëndim, veri-lindje. “Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë dhe që udhëtojnë në destinacion zonën e detit Jon i Veriut, më konkretisht në zonën e Italisë së Jugut dhe Greqisë, duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qënë të sigurt dhe parandaluar çdo rrezik të mundshëm për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit”, njofton Drejtoria e Përgjithshme detare ne Durrës.
Top Channel