Vijon zjarri në Priskë, Goxhaj: Rreth 50 zjarrfikës në terren, pritet përgjigje për ndërhyrje nga ajri

16/09/2020 13:20

Drejtori i zjarrfikësve në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj në një intervistë për Top Channel  foli për zjarrin në Priskë të malit të Dajtit, i cili më parë ishte i fikur, por është riaktivizuar dhe po djeg dhjetëra hektarë.

Ai tha se deri në orët e mesditës do të kemi 50 forca zjarrfikëse në terrenin e vështirë në Priskë.

“Zjarri në Priskë ka filluar të aktivizohet që nga fundjava e kaluar. Përveç zjarrfikësve, janë  edhe forcat speciale të mbrojtjes. Kemi punonjës në terren, por jo makineritë që nevojiten, duke qenë i thyer. Dje është riaktivizuara në një pozicion tjetër kemi filluar të punojmë në terren. Deri në orët e mesditës do të kemi 50 forca zjarrfikëse në terren. Terreni është i vështirë, nuk jepet garanci nëse do të fiket, por mund të fiket dhe të rishfaqet përsëri. Ato do të lokalizohen nga ana e punonjësve të shërbimit”, tha Goxhaj.

Goxhaj tha se është komunikuar me ministrinë e Mbrojtjes për të ndërhyrë nga ajri dhe pritet një përgjigje.

Bashkëpunojmë me prefektin e qarkut dhe të tjera institucione, janë bërë kërkesa dhe jemi në pritje. Janë djegur barishte dhe shkurre, sepse pemët janë djegur para disa vitesh”, tha Goxhaj për Top Channel.

Kujtojmë se zjarri në Priskë u bë aktiv para disa ditësh duke djegur dhjetëra hektarë tokë, ku vetë presidenti Ilir Meta akuzoi forcat zjarrfikëse se nuk po kryenin detyrën e tyre duke shkuar në vendngjarje për të shuar flakët.

Top Channel