Trump mohon se e ka minuar seriozitetin e koronavirusit

16/09/2020 16:58

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mohoi se e ka minuar seriozitetin e sëmundjes Covid-19, edhe pse në një intervistë të regjistruar më herët e ka pranuar se e ka bërë një gjë të tillë.

Në një ngjarje televizive të ABC News, Trump tha se e ka mbivlerësuar këtë rrezik.

“Nuk e kam minuar. Në fakt, në shumë mënyra, e kam mbivlerësuar për sa u përket veprimeve”.

“Veprimet e mia kanë qenë shumë të fuqishme”, tha Trump, duke përmendur vendosjen e ndalesës së udhëtimit për njerëzit nga Kina dhe Evropa, në fillim të këtij viti.

“Do të kishim humbur mijëra njerëz më shumë pa vendosjen e asaj ndalese. Kemi shpëtuar shumë jetë kur e kemi vendosur atë”, tha Trump.

Në librin e ri të gazetarit veteran, Bob Woodward, thuhet se Trump e ka minimizuar qëllimisht seriozitetin e kërcënimit nga Covid-19 në deklaratat e tij publike gjatë muajve të parë të pandemisë.

“Doja gjithmonë ta minimizoja. Ende më pëlqen ta minimizoj, sepse nuk dua të shkaktoj panik”, i ka thënë Trump Woodwardit në një intervistë për librin e tij “Rage”, më 19 mars.

Fragmente të librit dhe zëri i disa intervistave janë publikuar javën e kaluar nga gazeta Washington Post.

Duke folur në ABC News, Trump po ashtu tha se vaksina kundër Covid-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, mund të jetë gati “brenda javësh”, edhe pse ekspertët e shëndetësisë janë skpetik, pasi asnjë vaksinë, deri më tash, nuk i ka përfunduar provat e nevojshme klinike.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur afro 30 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 935,000 kanë vdekur dhe mbi 20 milionë janë shëruar.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë, me mbi 6.6 milionë njerëz të infektuar dhe mbi 195,000 viktima. REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA