Trump kërcënon Iranin: Çdo sulm, reagim 1000 herë më të madh

16/09/2020 01:40

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se çdo sulm i Iranit do të merrte një përgjigje shumë më të madhe nga SHBA-ja. Reagimi vjen pas raporteve se Irani planifikon të vrasë një diplomate amerikane, për të marrë hak për vrasjen e gjeneralit iranian, Qasem Suleimani.

“Çdo sulm i Iranit, në çfarëdo forme, kundër Shteteve të Bashkuara do të kishte si përgjigje një sulm ndaj Iranit, që do të ishte 1,000 herë më e madhe”- shkroi Trump në Twitter. Suleimani, komandant i forcës elitë Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, u ekzekutua në muajin janar, në një sulm me dron të SHBA-së në Bagdad.

Gazeta amerikane Politico raportoi në 13 shtator mbi një komplot të dyshuar iranian për vrasjen e Lana Marksit, mikeshë e Trumpit që në muajin tetor mori postin e ambasadores së SHBA-së në Afrikën e Jugut.

Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të Qeverisë amerikane, Politico thoshte se zyrtarë amerikanë kanë qenë në dijeni të një kërcënimi të përgjithshëm kundër Marksit që në pranverë, por kërcënimi sipas saj është bërë më specifik javëve të fundit. Disa ditë pas vrasjes së Suleimanit, Irani lëshoi raketa balistike në një bazë ushtarake në Irakun fqinjë që strehonte forca amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA