Thirrje për shkarkimin e zyrtarit amerikan pas akuzave dhe komenteve pa lidhje

16/09/2020 03:53

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shëndetësisë ka akuzuar shkencëtarët shtetërorë për “rebelim” duke thënë se reagimi i tyre ndaj pandemisë kishte si synim të minonte presidentin.

Michael Caputo, Ndihmës Sekretar për Komunikimet Publike në Departamentin e Shëndetësisë u shpreh se “skuadrat sulmuese të krahut të majtë” po përgatisin një kryengritje të armatosur nëse presidenti fiton zgjedhjet në nëntor. Zoti Caputo u shpreh pa ofruar prova se “një ekip rezistence” i përbërë nga ekspertë mjekësorë “thellë në zemër” të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po punon për të minuar presidentin. Zyrtari i bëri komentet të dielën, ndërkohë që numri i vdekurve nga COVID-19 në SHBA ka shkuar në mbi 194,000 vetë.

Ai akuzoi shkencëtarët se hoqën dorë nga shkenca duke u bërë “aktorë politikë”. Zoti Caputo është bërë objekt kritikash të forta pasi është përpjekur të ndryshojë raportet e përjavshme të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve mbi infektimet dhe viktimat ekoronavirusit, duke u munduar t’ia përshtasë pohimeve të vazhdueshme të presidentit se pandemia është vënë nën kontroll dhe se së shpejti një vaksinë do ta zgjidhte problemin.

‘Kujdesi mendor pa diskutim i mbaruar’
Zoti Caputo përcolli drejtpërdrejt në Facebook dhe në intervista për organe shtypi një numër akuzash të çuditshme, në dukje pa lidhje, duke thënë se kishte pësuar probleme të shëndetit fizik dhe se shëndeti i tij mendor “pa diskutim ishte i mbaruar’. 58-vjeçari Caputo u shpreh i shqetësuar për sigurinë personale në duart e armiqve të presidentit dhe iu drejtua dashamirësve të tij me fjalët “Nëse keni armë, blini municion sepse do të mbarojë”. Zëdhënësi i Departamentit të Shëndetësisë u emërua nga Shtëpia e Bardhë në prill për të mbikqyrur komunikimet lidhur me pandeminë. Disa muaj më parë, në biseda me gazetarin Bob Woodward, të regjistruara nga gazetari, Presidenti Trump pohon se ka shtrembëruar realitetin duke u munduar ta zbusë rrezikun nga virusi në komentet fillestare për publikun.

Pretendime për ‘kanale të fsheta brenda shtetit’
Akuzat e zotit Caputo se disa ekspertë qeveritarë po punojnë për të penguar rizgjedhjen e presidentit në 3 nëntor u bëjnë jehonë pretendimeve të presidentit prej vitesh se brenda strukturave qeveritare veprojnë ‘kanale të fshehta’ që përpiqen ta minojnë.

Zoti Caputo shprehet se shkencëtarët e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve “heqin rrobat e shtëpisë vetëm kur shkojnë tek kafeneja e lagjes për të ndjekur mbledhjet me kompjuter” për të planifikuar “si të sulmojnë Donald Trumpin herën tjetër. Këta janë shkencëtarë që punojnë për qeverinë, që në fakt nuk duan që Amerika të ecë mirë, deri kur të zgjidhet Joe Biden president”. Zyrtari i Departamentit të Shëndetësisë përshkruan zhgënjimin që ndjen nga puna në qeveri.

“Nuk më pëlqen që jam vetëm në Uashington,” thotë ai, duke përshkruar “hijet që shoh në tavanin e apartamentit. Jam vetëm, shoh hijet,” thotë ai. Në komentet për gazetën Washington Post, ai thotë se “që kur filloi punën për administratën Trump, unë dhe familja ime jemi kërcënuar vazhdimisht dhe kemi qenë disa herë në gjyq lidhur me ndjekje penale për ngacmime e kërcënime. Kjo më ka rënduar shumë. Ia di shumë për nder Presidentit Trump që kujdeset për këto gjëra dhe për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë”.

Shtëpia e Bardhë nuk bëri komente lidhur me pretendimet e ngritura nga zoti Caputo. Ai çaktivizoi llogarinë në Twitter dhe Facebook të hënën, ndërkohë që Departamenti i Shëndetësisë e cilësoi “një element kritik, integral të ekipit të presidentit kundër koronavirusit, me një rol udhëheqës për të komunikuar me publikun informacionin e nevojshëm shëndetësor për mposhtjen e pandemisë”.

Thirrje për shkarkim
Të hënën në mbrëmje, disa ligjvënës demokratë, përfshirë Senatoren demokrate Patty Murray dhe ligjvënësen demokrate Rosa DeLauro, bënë thirrje për shkarkimin e zotit Caputo. Në një deklaratë, Senatorja Murray tha se Sekretari i Shëndetësisë Alex Azar, eprori i zotit Caputo, “ka një përgjegjësi bazë për të garantuar se ekspertët tanë të shëndetësisë janë në gjendje të bëjnë punën dhe se përgjigja jonë ndaj COVID-19 nuk përcaktohet nga dizinformimi apo teoritë e konspiracionit dhe se të dhënat që përdoren nuk janë të ngjyrosura nga politika”.

Demokratët në Nënkomisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Koronavirusin thanë se kanë hapur një proces hetimor mbi ndërhyrje politike në raportet shkencore mbi pandeminë të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA