Një e ardhme më e paqartë për marrëdhëniet Uashington-Pekin

16/09/2020 04:37

Ambasadori amerikan në Kinë, Terry Branstad, njoftoi të hënën se do të largohet nga posti në fillim të tetorit, duke mbyllur një mision tre vjeçar në Pekin. Në një postim në Twitter, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha “Ambasadori Brandstad ka vazhduar të balancojë marrëdhëniet SHBA-Kinë që të jenë më të orientuara nga rezultatet, të jenë reciproke dhe të drejta”.

Analistët thonë se largimi i ambasadorit, ish-guvernator republikan nga Ajova është një tjetër shenjë se politika amerikane për angazhim me Kinën ka marrë fund. “Terry Branstad erdhi në detyrë me shpresën se do të arrinte diçka me Kinën, por asgjë nuk është arritur,” thotë për Zërin e Amerikës Orville Schell, drejtor i Qendrës për Marrëdhëniet SHBA-Kinë në Shoqërinë Aziatike në Nju Jork.

Ambasadori amerikan kishte marrëdhënie të afërta me presidentin kinez. Ai ishte takuar fillimisht me Presidentin Xi në 1985, kur zoti Xi ishte zyrtar lokal në një shtet si-motër me Ajovan, ku zoti Brastad ishte guvernator. Kur zoti Branstad u emërua ambasador nga Presidenti Trump në 2017, kishte shpresa për zbutjen e marrëdhënieve të acaruara pas komenteve të zotit Trump gjatë fushatës së 2016-ës për shkëmbimet tregtare SHBA-Kinë.

Por, që nga shpërthimi i pandemisë, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit vetëm janë keqësuar, duke mos i lënë shumë hapësirë ambasadorit të përdorë sharmin e tij personal për të përmirësuar shkëmbimet dypalëshe. “Ma merr mendja, ai ndjehet se nuk ka arritur të dëshmojë një rol konstruktiv në këtë rast,” thotë zoti Schell.

Branstad u vu në qendër të një debati mes Pekinit dhe Uashingtonit javën e kaluar kur e përditshmja e Partisë Komuniste People’s Daily – E Përditshmja e Popullit, nuk pranoi to botonte një artikull-opinion të tij. Sekretari Pompeo komentoi në Twitter se ky akt tregonte se autoritetet kineze nuk reagojnë në shpirtin e reciprocitetit pasi ambasadori kinez është “i lirë të botojë në çdo media amerikane”. Zëdhënësi kinez tha se artikulli i ambasadorit ishte “plot boshlleqe dhe pasaktësi në fakte”.

Analisti Schell tha se beson që Pekini duhet të pranojë pjesën më të madhe të fajit për keqësimin e marrëdhënieve: “Mendoj se korniza e angazhimit ishte ajo që ruajti stabilitetin mes dy vendeve për më shumë se 40 vjet. Por ajo kornizë u shkatërrua nga veprimet agresive të Kinës në Detin e Kinës së Jugut, në Ngushticën e Tajvanit, në Hong Kong dhe Xinjiang,” thotë ai.

Një zyrtar i nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit tha për Zërin e Amerikës se gjatë shërbimit të ambasadorit Branstad Kina vazhdoi politikën “e përpjekjeve për të gjetur gjuhë të përbashkët, ndërkohë që u mundua të linte mënjanë mospajtimet”. Zyrtari, i cili foli me kusht që të mos identifikohej me emër, tha se taktika e Pekinit për të injoruar mospajtimet politike ka dëmtuar interesa amerikane bazë.

“Gjuha e përbashkët gjendet tek përfitimet ekonomike, por dallimet gjenden tek vlerat politike dhe universale,” tha zyrtari duke shtuar se taktika si transferimi me forcë i teknologjisë nga kompanitë amerikane “përbëjnë kërcënim për interesat themelore amerikane”. “Largimi i ambasadorit nuk ndryshon gjë në këtë dinamikë,” tha zyrtari.

David Miller, ish-drejtor për kërkimet në Zyrën Bujqësore të Ajovës tha se zoti Branstad mund të ketë zgjedhur këtë moment për t’u larguar që të ndihmojë presidentin në fushatën zgjedhore. “Governatori Branstad gëzon respekt të gjerë, sidomos në Ajova. Dhe Ajova është shtet i lëkundur,” tha zoti Miller. Rrjeti mediatik CNN njoftoi se zoti Branstad po largohet herët pjesërisht sepse Presidenti Trump i ka kërkuar të kthehet për ta ndihmuar në fushatë. Djali i ambasadorit, Eric Branstad, është aktualisht i angazhuar në fushatën e zotit Trump./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA