“Mik me terroristin në Londër…”, gazetari Muhamed Veliu tregon se si u bë viktimë e shpifjes

16/09/2020 14:41

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu në emisionin “Shqipëri Live“ ka treguar rastet kur ka rënë viktimë e shpifjes gjatë punës së tij në media.

Veliu tregon se gazeta shqiptare “Bota Sot”, e botuar në Zvicër nga Xhevdet Mazrekaj dhe me kryeredaktor Skënder Buçpapaj, publikon artikullin “Një skandal i ambasadës shqiptare në Londër”, me autore Jenifer Partosh, artikull që i referohej Daily Mail-it, duke e akuzuar se ishte mik me një terrorist në Londër.

Në vitin 2005 më akuzuan se kisha komunikime me një terrorist. Sapo kisha ardhur në Shqipëri për pushime dhe mësoj se kishin botuar një shkrim sikur kisha lidhje me terrorizmin. Shkrimi shkoi deri tek Departamenti i Shtetit për të më gjykuar. Është një shkrim fantazi i Rudolf Markut me autore Jennifer Parkosh. Fantazi e një individi kundër meje dhe Jennifer është një emër i sajuar, nuk ekziston”, tha Veliu  në studio.

I pyetur nga gazetarja Erjona Rusi se përse ai kishte zgjedhur pikërisht atë  si shënjestër që të akuzohej për një vepër që se kishte kryer, ai tha se ata donin një person që raporton nga Londra.

“Kur t’i përballesh me një shkrim shpifës thua pse erdhi tek unë. Unë kontaktova me Rufolf Markun sepse fantazia është e tmerrshme dhe e rëndë, të thuash se një person pati lidhje me ata terroristë është e rëndë. Ata donin një gazetar që raporton nga Londra”, tha ai.

Veliu e dërgon këtë çështje që i prishi reputacionin e tij të krijuar pas shumë vitesh,  në gjykatën e Londrës, ku arriti që të fitonte dhe të dëmshpërblehej 175 mijë paund ose ndryshe çerek milioni euro.

“Dëmshpërblimi ka të bëjë me nivelin e shpifjes . Unë karrierën time në gazetari e kam me shumë mund dhe vura në vend dinjitetin tim. Do thoni ju se çfarë bëra me atë shumë parash. 87 mijë sterlina morën avokatët e mi dhe kemi bërë 4 gjyqe të tjera për këtë çështje. Në Gjykatën e Zvicrës u njoh ky vendim dhe shkoi për ekzekutim. Unë arrita të realizoja pastrimin e figurës sime”, u shpreh ai.

Rasti i dytë, ku Veliu u bë viktimë e shpifjes ishte rasti i postimit të një portali shqiptar, ku ai akuzohet se u merr pyetjet e gatshme politikanëve përpara se të realizojë intervistat. Ai thotë në “Shqipëria Live” se kryeredaktori i portalit, Armand Shkullaku e fitoi gjyqin dhe u la në fuqi shpifja e tyre edhe pse në 6 seanca, ai nuk solli asnjë provë që ta bënte fajtor.

Sipas tyre unë jam një postier dhe jo gazetar. Unë jam ai që ndërtoj skaletën e pyetjeve. Nuk kam nevojë  nga Edi Rama apo Endri Fuga për të bërë pyetje. Kjo ishte një shpifje e pastër. Provojeni që unë marr pyetje të gatshme u thashë, ata nuk sollën asnjë provë që të tregonin që unë marr pyetje të gatshme nga zyra e shtypit, edhe pse  gjyqtari u dha të drejtë Armand Shkullakut dhe Bushatit, ata nuk e bënë por lanë në fuqi shpifjen e tyre. Unë ndihem i qetë në lidhje me Shkullakun, sepse pas 6 seancash nuk sollën një provë të vetme”, tha Veliu.

Në rastin e tretë të shpifjes, të ndodhur pak ditë më parë,  në një postim ai akuzohet se merr para nga politikanët shqiptarë për të raportuar pozitivisht për ta dhe se nuk është vetëm gazetar i Top Channel por punon edhe për qeverinë. Por përsëri ai ka vërtetuar se këto që janë raportuar kanë qenë shpifje dhe aspak të vërteta.

Gazetari Muhamed Veliu ka dhënë një mesazh për të gjithë lexuesit, ku sipas tij publiku duhet të zgjedhë se çfarë të  lexojë, pasi portalet po shumëfishohen. Ai thekson se të gjithë duhet të jenë selektivë e  të gjejeni mediat që zgjedhin të bëjnë gazetari dhe jo ato që vetëm shpifin duke prishur reputacionin e gazetarit e duke penguar në kryerjen e detyrës.

Top Channel