Komandanti që drejton arsenalin bërthamor të ushtrisë amerikane ka paralajmëruar se rritja e rezervave bërthamore të Kinës është “detyra e radhës” në listën e Pekinit.
Duke folur të hënën për gazetarët në Pentagon, shefi i Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara, Admirali Charles Richards tha se ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë të drejtën e pagabueshme për të dhënë fonde shtesë për forcën e saj bërthamore, Kina ka një rekord të provuar të ndërtimit të vazhdueshëm të ushtrisë së saj. Ai përmendi shembullin se si Pekini ka ndërtuar më shumë se 250 anije për rojen bregdetare të sapo-themeluar të vendit gjatë shtatë viteve të fundit.
“Kur Kina i vë vetes një qëllim, ata janë shumë mbresëlënës në aftësitë e tyre për ta arritur atë. Forcat e tyre strategjike janë në listën e detyrave të radhës. Unë po përpiqem ta pozicionojë vendin tonë ndaj kërcënimit me të cilin do të përballemi, jo për atë që kemi sot.” Shtetet e Bashkuara mund të kryejnë një sulm bërthamor nga deti, ajri dhe toka përmes nëndetëseve, avionëve dhe raketave balistike, një aftësi që quhet triada bërthamore, ose treshja bërthamore.
Në fillim të këtij muaji, një raport i Pentagonit ngriti shqetësim në lidhje me aktivitetet e Kinës për të krijuar një triadë bërthamore ndërsa parashikoi se Pekini të “paktën do të dyfishojë” madhësinë e rezervave të tij bërthamore gjatë dekadës së ardhshme. Qeveria kineze nuk ka reaguar ndaj raportit. Sipas raportit të përvitshëm të Pentagonit “Fuqia Ushtarake e Kinës”, përgatitur për Kongresin dhe që u publikua më 1 shtator, gjatë 15 viteve të fundit marina kineze ka ndërtuar 12 nëndetëse bërthamore, gjashtë prej të cilave ofrojnë “frenimin e parë bërthamor detar të besueshëm”. Nga mesi i viteve 2020 ka gjasa që Kina të ndërtojë një nëndetëse bërthamore të pajisur me raketa të komanduara me rreze lazer, që mund të sigurojë mundësinë e një sulmi sekret tokësor nëse pajiset me raketa kruz tokësore.
Moment historik
“Druhem se nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm si komb për këcënimet me të cilat përballemi. Kina tani ka aftësinë ….që të kërcënojë drejtpërdrejtë vendin tonë nga një nëndetëse e pajisur me raketa balistike. Ky është një moment historik”,tha zoti Richard. Kinës i mungon aftësia për të lëshuar armë bërthamore nga ajri, por raporti i Pentagonit thotë se Ushtria Çlirimtare e Popullit Kinez (PLA) shpalosi publikisht vitin e kaluar aeroplanin H-6N si bombarduesin e saj të parë bërthamor që mund të furnizohet me karburant në ajër.
Raporti vlerëson se Kina mund të ketë pak më shumë se 200 mbushje bërthamore dhe përfshin ato që mund të vendosen në raketa balistike të afta për të arritur deri në Shtetet e Bashkuara. Kjo është hera e parë që Pentagoni deklaron një numër specifik të mbushjeve bërthamore. “Federata e Shkencëtarëve Amerikanë” thotë se rreth 3,800 mbushje bërthamore janë në gjendje aktive në arsenalin bërthamor amerikan. Ky numër e tejkalon në masë të madhe arsenalin kinez.
Top Channel