“Futbolli” fsheh pagat e vërteta/ Ekspertët: Përjashtimi nga taksat, i pamundur, duhet të formalizohen

16/09/2020 19:44

Fshehja e pagave reale për të mos paguar taksat, është kthyer në një fenomen për futbollin shqiptar. Për shkak të pagave të larta të futbollistëve, shumë prej ekipeve deklarojnë pagat e tyre ndjeshëm më të ulëta se realiteti, fakt i pranuar më herët edhe nga vetë presidenti i ekipit të Kukësit, Safet Gjici.

Ndërkohë ekipet e superiores që grupojnë rreth 450 futbollistë, kërkojnë që të mos paguajnë asnjë taksë për 10 vite. Edhe ekspertët kontabël nga ana tjetër vlerësojnë se futbolli është një ndër sektorët më informal në vend dhe formalizimi i tij është një domosdoshmëri, proces i cili duhet të ishte bërë më herët.

“Nga informacionet që kam sporti është një nga sektorët me paga më të nën deklaruara dhe duhet të formalizohet, më saktë duhet të ishte një proces që duhet të kishte ndodhur më herët.”

Sipas ekspertit kontabël Sotiraq Dhamo futbolli duhet mbështetur, por kërkesat e Ligës vijnë në një moment të papërshtatshëm për vendin dhe diferencimet shton ai krijojnë pabarazi ndërmjet individëve.

“Mund të arrihet një lloj dakordësie për disa nga kërkesat por nuk mund të bëhen diferencime, unë shkoj në të njëjtën linjë me FMN-në për të mos bërë përjashtime në taksa.”

Qeveria ka ndërmarrë lehtësira për futbollistët duke  i përjashtuar për 1- vit nga tatimi mbi të ardhurat personale për pagat dhe shpërblimet e sportistëve, por ka cilësuar të pajustifikueshme faljen e kamatëvonesave. Sipas të dhënave të Financave, klubet e futbollit kanë krijuar rreth 2 milionë euro detyrime të reja.

 

Top Channel