Një uragan i sapoformuar ndodhet në drejtim të bregdetit të SHBA-së dhe kërcënon disa shtete të jugut, përfshirë Floridën, Misisipin dhe Alabamën. Stuhia tropikale Sally u shpall uragan të hënën, ndërsa pritet të zbarkojë të martën.
Zyrtarët thanë se uragani do të sjellë deri në 30 centimetra shi dhe erëra deri në 135 kilometra në orë në disa zona. Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards, shteti i të cilit është ende duke u rimëkëmbur nga uragani i muajit të kaluar Laura, kërkoi nga banorët që “të jenë të zgjuar dhe të sigurt”.
Alabama dhe Misisipi shpallën gjendje të jashtëzakonshme, derisa janë në pritje të uraganit, i cili ndodhet rreth 175 milje në juglindje të Billoksit në Misisipi. Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se uragani ka ndryshuar drejtim dhe nuk pritet të godasë drejtpërdrejt Luizianën, por gjithsesi mund të shkaktojë valë, që mund të çojnë në përmbytje të mëdha.
Të hënën, gati 80,000 shtëpi në Luiziana kanë qenë pa energji elektrike si rezultat i uraganit Laura, i cili ka goditur tri javë më parë. Përveç Sallyt, janë edhe katër stuhi të tjera tropikale – Paulette, Rene, Teddy dhe Vicky – që janë duke u vërtitur në pellgun e Oqeanit Atlantik.
Top Channel