OBT: SHBA-ja shkeli rregullat ndërkombëtare kur vendosi tarifa në mallrat kineze

15/09/2020 20:49

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) ka dalë kundër vendimit të tarifave amerikane në mallrat kineze në vlerë të 234 miliardë dollarëve, duke dëmtuar një tjetër argument të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për politikat e tij tregtare.

Një panel prej tre ekspertëve në trupin tregtar me bazë në Gjenevë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur rregullat ndërkombëtare, kur kanë vendosur tarifa në mallrat kineze më 2018.

Si përgjigje ndaj vendimit, Shtetet e Bashkuara kanë konsideruar vendimin e kësaj Organizate si “plotësisht joadekuat”, duke mbajtur Pekinin përgjegjës.

“Shtetet e Bashkuara duhet të lejohen të mbrojnë veten kundër praktikave të padrejta tregtare, dhe administrata e Trumpit nuk do të lejojë Kinën që të përdorë OBT-në për të përfituar nga punëtorët amerikanë, bizneset, apo bujqit”, ka thënë Përfaqësuesi amerikan për Tregti, Robert Lighthizer.

Administrata e Trumpit ka arsyetuar se masat janë vënë pasi Kina është përfshirë në praktika të padrejta tregtare, sidomos në vjedhje në pronës intelektuale dhe transferim të detyrueshëm të teknologjisë.

Në vendimin e tij, paneli ka thënë se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë vërtetuar se masat janë të arsyetuara përkohësisht”.

Aty po ashtu është thënë se SHBA-ja ka dështuar që të tregojë sesi këto masa specifike, që kanë shënjestruar importet kineze, kanë qenë të lidhura me vjedhjen e pronës intelektuale nga ana e Kinës.

Ministria e Tregtisë në Kinë ka thënë pas vendimit se, shpreson që Shtetet e Bashkuara do të respektojnë vendimin e OBT-së dhe do të marrin masa që mbështesin sistemin global për tregti.

Administrata Trump ka vendosur tarifa ndaj Kinës duke u bazuar në një akt tregtar, që i mundëson presidentit të vendosë masa në mallrat e një shteti tjetër, për shkak të praktikave të padrejta tregtare. REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA