Pas kërkesës së opozitës së bashkuar që Këshilli Politik të mblidhej ditën e mërkurë ka ardhur edhe përgjigjja e Damian Gjiknurit.

Në përgjigjen e tij Gjiknuri thekson se takimi do të mbahet në datën 18.09.2020 ( e premte) dhe jo ditën e nesërme (16.09.2020) që ka kërkuar opozita.

Gjithashtu përfaqësuesi i PS-së ka hedhur poshtë edhe kërkesën e dytë të Opozitës jashtëparlamentare për marrjen e ekspertizës nga OSBE/ODIHR-it.

Reagimi i plotë:

Të nderuar kolegë,

Sapo u njoha me kërkesën Tuaj për organizimin e një mbledhjeje jashtë radhe të Këshillit Politik, me temë “marrjen e ekspertizës së OSBE-ODIHR, për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik”.

Në vijim të diskutimeve të kryera në mbledhjen e mbrëmshme, më lejoni të ju ritheksoj se nëse ju kërkoni të shfrytëzoni ekspertizë të huaj për qartësimin e pozicioneve tuaja lidhur me implementimin e dispozitave të reja të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që bëjnë fjalë për zgjedhjet, ju mund ta bëni këtë me këdo që ju e gjeni të përshtatshme, por nuk mund të kërkoni që anëtarët e tjerë të Këshillit Politik, për të cilët zbatimi i Kushtetutës është një çështje që as vihet në diskutim, as zvarritet dhe as anashkalohet të bëhen pjesë e kësaj kërkese, aq më tepër të kërkoni që ekspertiza e OSBEO/DIHR-it të keqpërdoret me prapamendim.

OSBE/ODIHR ka qenë gjithmonë gati të përfshihej me ekspertizë teknike për shqyrtimin dhe përpumimin e propozimeve dhe drafteve tona të reformës. Ne kemi qenë mirënjohës sa herë që nga OSBE/ODIHR na kanë ardhur komente dhe sugjerime, sikurse kemi qenë po aq të keqardhur, kur për shkak të insistimit tuaj, sugjerimet e tyre janë neglizhuar e sakrifikuar pa asnjë shkak të llogjikshëm.

Ne jemi të bindur se ekspertiza e OSBE/ODIHR-it lidhur me teknologjinë në zgjedhje dhe barazinë gjinore do ta kishte bërë reformën zgjedhore vërtet cilësore, sikurse jemi të sigurtë se nëse nuk do i ishim nënshtruar refuzimit tuaj për ta përfshirë ekspertizën e ODIHR-it në debatin për administratën zgjedhore, sot kuadri ligjor për administrimin e zgjedhjeve do të formonte model për një administratë zgjedhore neutrale, të përgjegjshme dhe profesionale që në zgjedhjet e ardhshme.

Ju referoni tek marrëveshja e 14 Janarit për të mbështetur kërkesën Tuaj, por Ju nuk mund të bëni sikur sjellja Juaj e mëparshme ndaj ekspertizës së OSBE/ODIHR-it nuk ka qenë e Juaja. Me sjelljen tuaj të deritanishme, Ju e keni abroguar më shumë se sa një herë këtë pikë të marrëveshjes, pa motiv, pa shpjegim dhe me arrogancë. Unë nuk mund të mos ta kujtoj këtë fakt.

Gjithësesi, ne duam bashkëpunimin me synim arritjen e një konsensusi sa më të gjërë. Ne duam që opozita jashtëparlamentare të jetë e përfshirë, të ndjehet e përfillur në këtë proces, të jetë kontribuese. Që kjo të ndodhë duhet që të gjithë bashkë të punojmë për implementimin e dispozitave të reja të Kushtetutës për zgjedhjet. Puna e do që ne të shtrojmë në tavolinë jo vetëm idetë, por mbi të gjitha propozimet tona të detajuara, pse jo draftet tona të plota e ezauruese për pragun zgjedhor, për formulën dhe procedurën për numërimin, tabulimin dhe kalkulimin e votave parapëlqyese, për regjistrimin e të drejtat proceduriale dhe materiale të koalicioneve zgjedhore, për pasqyrimin në fletën e votimit, për numërimin e votave, tabulimin dhe kalkulimin e votave parapëlqyese të listës së koalicionit.

Këto janë lëndë e bollshme për amendamentet që duhen hartuar në zbatim të Kushtetutës. Kërkohet punë dhe përkushtim, sepse koha nuk pret. Lidershipi juaj ka deklaruar pas miratimit të dispozitave të reja të Kushtetutës, se nuk do t’i njihte ato. Ju i qendruat të njejtës linjë me letrën tuaj zyrtare të datës 14.09.2020 dhe në debatin vijues në Këshill. Ka ardhur koha që të deklaroni besnikërinë dhe respektin ndaj Kushtetutës së vendit Tuaj, ashtu siç bëjnë të gjitha partitë simotra të Evropës demokratike ndaj kushtetutave të vendeve të tyre. Po ashtu ka ardhur koha që të tregoni me prova vullnet të mirë ndaj këtij procesi që po zhvillojmë bashkarisht. Taktikat e pengimit, zvarritjes, bllokimit dhe konfliktualitetit artificial nuk pijnë më ujë. Unë ju ftoj përzemërsisht të futeni në rrugën e duhur, në rrugën e drejtë.

Si përfaqësues i Partisë Socialiste Ju konfirmoj se, sa na takon ne, nuk do ketë asnjë produkt të punës sonë të përbashkët që nuk do t’i nënshtrohet ekspertizës së OSBE/ODIHR-it. Por, përpara se kjo të ndodhë ne duhet të fillojmë të prodhojmë produkte konkrete, jo të pengojmë.

Në vazhdim të diskutimit të mbledhjes së fundit, unë mirëpres propozimet tuaja, qoftë dhe fillestare, për çështjet e sipërcituara, në mbledhjen e planifikuar për ditën e Premte datë 18.09.2020, ora 10:30. Ndërkohë ju informoj se ekipi i PS-së është në punë për të konkretizuar dispozitat e Kushtetutës dhe për ti reflektuar ato respektivisht në Kodin Zgjedhor.

 

Në cilësinë e përfaqësuesit e mazhorancës, në mbledhjen e ditës së Premte unë do të paraqes draftin me propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor për çështjet e sipërcituara.

Top Channel