Ekzekutohet një 33-vjeçar në Rrogozhinë/ I zunë pritë 200 metra nga banesa e tij, daja: La djalin 2-vjeç…

15/09/2020 15:31

Klevis Kapllani 33  vjeç, nga fshati Sinaballaj i Rrogozhinës, u ekzekutua brenda makinës së tij pak metra larg shtëpisë.

Ka qenë pikërisht grumbulluesi i qumështit të zonës i cili e ka gjetur atë pa shenja jete rreth orë gjashtë mëngjesin e kësaj të marte, e ku më pas ka njoftuar policinë. Dyshimet janë se autorët kishin vendosur shkurre për t’i zënë rrugën viktimës, ndërsa ata vet mendohet se ishin fshehur pas një godine nga ku edhe kanë qëlluar në drejtim të 33-vjeçarit me disa plumba.

Sipas hetimeve të deritanishme dyshohet se ekzekutimi i Klevis Kapllanit është bërë me një armë me silenciator, pasi banorët e zonës, nuk kanë dëgjuar të shtëna.

33 vjeçari, mësohet se ka qenë i dënuar në Itali për çështje të trafikut të drogës dhe prej dy viteve ishte kthyer përsëri në fshat, ku kishte filluar të merrej me bujqësi.

Banorët e zonës dhe të afërm shprehen se nuk kanë pasur dijeni që viktima të ketë pasur probleme.

“Nuk ma do mendja që të ketë pasur probleme……Janë çuna shumë të mirë, me asnjë nuk janë ngatërruar. Unë sot e mora vesh që kishte vdekur, se nuk e dija. Jam habitur…..E kemi çun teze, e ka burri. Nuk dimë gjë, sepse ne jemi nga Paprri Elbasanit.”

Daja i Klevis Kapllanit, tha për Top Channel, se ky atentat ka qenë i paramenduar dhe kërkon nga autoritetet zbardhjen e vrasjes së nipit të tij.

“Unë sot e mora vesh që e kanë gjetur të vdekur në mes të rrugës aty. Policia duhet të  bëjë të mundur që të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje. Kjo është një zonë shumë e vogël që të gjithë njerëzit njihen me gishta Në një vend, si ky, të vogël që i kanë vënë shkurre, pra i kanë zënë pritë, është diçka e paramenduar. Se një çun, 32 vjeç, që ka lënë një fëmijë dy muajsh tek shtëpia dhe i shkarkojnë kallashin në mes të natës aty, është turp.”

Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa si pistë kryesorë, po heton atë të të shkuarës së viktimës në Itali.

Top Channel