Gjiganti teknologjik, Microsoft tha se i është refuzuar oferta për blerje të aplikacionit kinez, TikTok në negociatat e nxitura nga presidenti amerikan, Donald Trump, pas pretendimeve se kjo platformë përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Kompania që zotëron aplikacionin TikTok, Bytedance është cituar t’i ketë thënë Microsoftit se nuk do t’ia shesë kësaj kompanie operacionet e aplikacionit në tokën amerikane.Në disa raportime të mediave, që kanë folur me burimet e tyre thuhet se Bytedance ka përzgjedhur kompaninë Oracle në vend të Microsoft-it, por TikTok dhe Oracle nuk kanë komentuar këto pretendime.
Trump kërcënoi ta ndalonte TikTok-un në mesin e muajit shtator duke supozuar se të dhënat që zotëron ky aplikacion mund të shfrytëzohen nga kompani kineze të inteligjencës, andaj ka kërkuar që ByteDance të negociojë për shitje te bizneset amerikane.
TikTok mohon se ka ndarë me qeverinë kineze të dhënat e përdoruesve dhe ka paditur administratën amerikane që ka kërcënuar me ndalim të aplikacionit nëse nuk zbatohet rregulli i shitjes. TikTok pretendon se ka 100 milionë përdorues amerikanë dhe 700 milionë gjithsej në mbarë globin.Ky aplikacion ofron mundësi të realizimit të videove të shkurtra argëtuese të njerëzve duke vallëzuar, duke imituar të tjerët apo duke sfiduar njëri-tjetrin në gara të ndryshme.
Top Channel