Peshkimi, 100 mln euro eksporte/ Flota shqiptare e peshkimit do ndihmohet me subvencione

14/09/2020 15:50

Sektori i peshkimit përgjatë vitit 2019, ka eksportuar rreth 15 mijë ton prodhime deti me një vlerë prej rreth 100 milionë euro. Krahasuar me vitin 2013, eksportet e këtij sektori janë trefishuar.

Top Channel, përgjatë një nate, me flotën e anijeve Rozafa, ndoqi nga afër procesin e kapjes së peshkut, me një ekuipazh profesionit nga Turqia.

Ky është ekuipazhi i anijes Rozafa i cili në këto momente po bën mbledhjen e rrjetës, nga ku më pas peshku nëpërmjet një pompe do të mblidhet për tu shpërndarë më pas në arka.

Gjergj Luca, pronari i flotës më të madhe të anijeve në Mesdhe, tregoi për Top Channel, sesi bëhet seleksionimi i peshkut në bazë të madhësisë së tij.

“Këtu bie i gjithë peshku i vogël që është jashtë mizure,  që mund të jenë gati 800-1000 arka. I gjithi bie në det për t’u rritur, ndërsa peshkun tjetër, hajdeni të shikoni sesi e seleksionon pompa. Këtej kalon peshku i madh, andej kalon peshku i vogël i cili bie prapë në det, ndërsa këtej kalon i gjithë peshku i madh. Po ta shikoni kjo është e gjitha sardele, është e përzierë me Skumer, edhe me Rring, psh ky këtu është rring, ndërsa pjesa tjetër kryesore është sardele. “

I pranishëm në këtë natë peshkimi, ishte edhe Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuç, i cili tha se ky sektor ka ardhur në rritje me mbështetjen që i është dhënë, duke hequr akzicën e naftës dhe një sërë taksash të tjera.

“Duke filluar nga 2020, i gjithë sektori i peshkimit e merr naftën me çmimin e bursës. Çmimi i ditës së sotme ishte 400 lek të vjetra i litrit të naftës. Kjo i ka dhënë një hov të jashtëzakonshëm sektorit të peshkimit që është një nga sektorët me rritjen më të madhe ekonomike në këto pesë vitet e fundit.”

Prej vitit të ardhshëm, ky sektor pritet që të forcojë më tej flotën e peshkimit.

“Kemi një program me BE-së ku do subvencionojmë me 1.5 milionë euro në zëvendësimin e motorëve. 50% të investimit do ta bëjnë vet subjektet dhe 50%, pra 1.5 milionë euro janë në dispozicion për këtë subvencion për ndryshimin e pajisjeve, motorëve, pra për të subvencionua të gjithë flotë.”

Pas qëndrimit për rreth 12 orë në det, rezultati ishte rreth 5 mijë arka peshk të llojit Skumer dhe Sardele, i cili do të hidhet në treg ose do të shkojë për përpunim e që më pas të eksportohet jashtë vendit.

Top Channel