“Na ktheni fëmijët nga Siria”/ Protesta e familjarëve para kryeministrisë

14/09/2020 20:24

Mbi 80.000 fëmijë shqiptar u ulën sot në bankat e shkollave, bashkë me ta supozohej të uleshin dhe mbi 60 fëmijë, të cilët kanë mbetur në kampin “Alhowl” të Sirisë.

Për fëmijët shqiptarë kjo ishte e pamundur, pasi prej shumë vitesh ata qëndrojnë atje me shpresën, që një ditë do të kthehen në atdheun e tyre.

Familjarët e këtyre fëmijëve dhe grave protestojnë përballë kryeministrisë, për t’i apeluar kryeministrit Edi Rama, të intensifikojë përpjekjet në mënyrë që këta fëmijë të kthehen në Shqipëri, të bëhet e njëjta gjë siç bëri, Kosova, Bosnja apo dhe vendet e tjera që riatdhesuan gratë dhe fëmijët.

“Vetëm një thirrje kryeministrit, të ndali lotët e trishtimit të atyre nënave, t’u kthejë lotët e gëzimit, s’e të marrësh përjetë përqafimin e atyre fëmijëve që janë në mes të katër rrugëve në Siri”, u shpreh mes lotëve një familjar.

Një i moshuar, u shpreh se ka shtatë vite pa u takuar me dy nga nipërit, ndërsa dy të tjerët nuk i ka njohur kurrë.

Muhamend Veliu: Sa kohë ka që janë në Siri nipërit dhe mbesat.

“7 vite kanë. Nusen e kam të vrarë, ka një vit e gjysmë, djali ka tre vite. Fëmijët janë 3 vjeç, 4 vjeç, 7 vjeç i treti, 13 vjeç i katërti”, u shpreh i moshuari.

Ndërkaq, një grua tregoi me foto dy mbesat e saj, të cilat prej vitesh jetojnë në kampin famëkeq “Alhowl”.

“Këto janë dy mbesat e mia që janë në Siri, njëra ka lindur atje ndërsa tjetra ka lindur këtu”, tha ndër të tjera gruaja.

Top Channel