I dehuri vret dy vajza/ Aksidenti në dalje të tunelit Tiranë-Elbasan. Edhe dy vajza të plagosura rëndë

14/09/2020 15:45

Mbrëmjen e së dielës në autostradën Tiranë Elbasan, pikërisht këtu në dalje të tunelit të Krrabës, dy vajza të moshë 18 dhe 19 vjeç humbën jetën si pasojë e një aksidenti rrugor ndërsa dy të tjera mbetën të plagosura.

Shkak u bë një automjet tip ‘benz’ me drejtuesi shtetasin Behar Pema, i cili goditi nga pas makinën Volkswagen Polo, ku po udhëtonin katër vajzat. Si pasojë, automjeti tip benz pas goditjes u përplas në një pjesë të bordurës, ndërsa automjeti i vajzave u spostuar rreth 40 metra, pranë tabelës së shpejtësisë.

Në momentin e aksidentit , të katërta vajzat mbetën të bllokuara në makinë dhe u desh ndërhyrja e policisë dhe zjarrfikëseve për t’i nxjerrë nga aty të cilat më pas u transportuan për në spitalin e Traumës. Por, plagëve të përplasjes së fortë nuk arritën t’i mbijetonin dot Lusinda Garunja 19 vjeçe dhe Xhaneta Qallia 18 vjeçe. Dy vajzat e tjera, Denisa Dibra 25 vjeçe dhe Nervida Garunja 23 vjeçe, tashmë janë në trajtim mjekësor jashtë rrezikut për jetë.

Pas hetimeve dhe ekspertizës së policisë rrugore, rezultoi se drejtuesi i mjetit Benz, Behar Pema, është fajtori i këtij aksidenti. Ai ka qenë duke drejtuar makinën në gjendje tërësisht të dehur, ku testi i alkoolit e nxori me 0.99mg/l, Ai u vu në pranga nga policia, pasi rezulton se ka drejtuar mjetin me shpejtësi tejet të lartë duke bërë manovra të rrezikshme në rrugë, çka për pasojë shkaktoi dy të vdekura dhe dy të plagosura.

Katër vajzat, banuese në Shkodër, ishin nisur të festonin një ditëlindje, por që nuk arritën dot kurrë në destinacion, e për dy prej tyre jeta u pre në mes.

“Ajo çfarë ka mbetur në vendngjarje, nga makina ku udhëtonin vajzat, janë këto pjesë makinash dhe kjo varëse çelësash”

Top Channel