Helmimi i kryeopozitarit rus, doktorët gjermanë: Shëndeti i Alexei Navalny po përmirësohet

14/09/2020 20:34

Kryeopozitari rus Alexei Navalny është hequr nga aparati i ventilatorit të frymëmarrjes dhe mund të ngrihet nga krevati për periudha të caktuara, thanë sot doktorët gjermanë që po e trajtojnë për helmimin e dyshuar me agjentin nervor noviçok.

Spitali Charité në Berlin tha se gjendja e Navalny “vazhdon të përmirësohet” por shtuan se është ende herët për të thënë nëse do të rekuperohet plotësisht.

Por fakti që ai nuk është më në koma është shenja më pozitive deri tani.

Navalny humbi ndjenjat më 20 gusht teksa po pinte çaj në aeroportin e Tomsk në Siberi.

Ai u dërgua nga Rusia në Berlin dy ditë më vonë në gjendje të rëndë, ku besohet se doktorët e trajtuan me antidotin e helmit, atropinë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha këtë muaj se Navalni është helmuar me noviçok, substanca ushtarake ruse e përdorur dhe në 2018 kundër Sergei e Yulia Skripal në Britani. Merkel dhe liderë të tjerë i kanë bërë thirrje Rusisë të kryejë një hetim transparent mbi çështjen.

Top Channel