Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro tha të premten se një “spiun amerikan” u kap ndërsa po spiunonte në kompleksin më të madh të rafinerisë në vend, i cili po kalon një krizë të rëndë të mungesës së karburantit.
Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në televizionin shtetëror, Maduro tha se një burrë u arrestua të enjten në shtetin veriperëndimor Falcon ku po spiunonte në rafineritë e naftës Amuay dhe Cardon. Ata kapën “një marins, i cili shërbente si marins në bazat e CIA-s në Irak”, tha Maduro. “Ai kishte armë të specializuara, me një shumë të madhe parashë, shuma të mëdha dollarësh dhe sende të tjera”.
Maduro nuk dha detaje të tjera, por tha se i arrestuari po jepte një dekleratë në paraburgim. As Departamenti i Shtetit dhe as Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për të komentuar. Amuay dhe Cardon përbëjnë Qendrën e Rafinimit Paraguana, e cila ka një kapacitet nominal përpurinimi prej 971 mijë fuçi në ditë. Që të dy qendrat kanë përjetuar ndërprerje të shumta gjatë viteve të fundit. Opozita i fajëson ato për keqmenaxhim dhe mungesë mirëmbajtjeje.
Njoftimi për spiunin e supozuar vjen pasi një gjykatë në Venezuelë muajin e shkuar dënoi dy ish pjestarë të forcave speciale të ushtrisë amerikane që njihen si “Green Berets” me 20 vjet burg, për siç thuhet rolin e tyre në një inkursion të dështuar në muajin maj. Po ashtu gjatë fjalimit të premten, Maduro tha se gjatë ditëve të fundit forcat e sigurisë kishin prishur gjithashtu një komplot për të shkaktuar një shpërthim në një rafineri tjetër nafte, El Palito në shtetin Carabobo. Ai nuk dha hollësi.
E goditur nga sanksionet amerikane që kanë përkeqësuar mungesat e karburantit, qeveria e Venezuelës njoftoi të premten një nismë të re për shpërndarjen e karburantit dhe tha se po planifikonte projekte të reja rafinimi, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Top Channel