Franca ka raportuar një rritje rekord ditore të rasteve të koronavirusit ndërsa vendi po përpiqet të vendosë nën kontroll shtimin e infeksioneve.
Të shtunën, autoritetet shëndetësore thanë se kishte 10561 raste të reja, një rritje me më shumë se 1 mijë infektime krahasuar me shifrat e të premtes.
Numri i personave të shtruar në spital dhe kujdes intensiv po ashtu po rritet. Por, Franca është vetëm një prej disa vendeve evropiane që po shënon rritje rastesh të reja. Ndërsa autoritetet në kontinent nisën zbutjen e kufizimeve të ndërmarra në mars, për të luftuar epideminë, rastet e reja nisën të rriteshin në qershor dhe u ngritën në mënyrë domethënëse muajin e fundit.
Vetëm në Francë zyrtarët kanë përcaktuar 42 rajone si zona të kuqe, ku qarkullimi i virusit është aktiv dhe kërkesa strikte për mbajtjen e maskave dhe tubimet janë në fuqi.
Mes tyre Parisi, Lioni dhe thuajse i gjithë bregu mesdhetar. Të dielën ndërkohë në republikën ceke u regjistrua një rritje rekord për të tretën ditë radhazi, me 1541 infektime të reja. Vendet fqinje kanë filluar të kufizojnë hyrjen e çekëve në vendet e tyre me Gjermaninë që tha se do të kërkonte një test negativ për të ardhurit nga Praga.
Ndërsa në Britaninë e madhe rastet e reja u rritën me 3497 të shtunën. Rregullat mbi tubimet janë ashpërsuar në vend dhe tani vetëm gjashtë persona lejohen të takohen në ambjente të mbyllura dhe të hapura në Angli dhe Skoci.
Spanja po ashtu ka regjistruar rritjen më të madhe ditore të rasteve të reja, të enjten, me 10764 infektime të reja. Princesha Leonor, trashëgimtarja 14 vjeçare e fronit spanjoll, ka hyrë ndërkohë në karantinë pasi një shok klase i saj rezultoi pozitiv për covid 19. Ajo dhe të tjerë nxënës në shkollën Santa Maria de Los Rosales, në Madrid, do të testohen.
Top Channel