Shtetet e Bashkuara u kërkuan të shtunën fraksioneve ndërluftuese të Afganistanit të përafrojnë qëndrimet në bisedimet e tyre të para të paqes me qëllimin për të arritur një marrëveshje për ndarjen e pushtetit që do të përshtaste “pikëpamjet e kundërta” e do t’i jepte fund përfundimisht dekadave të tëra gjakderdhjeje në vend. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i bëri komentet gjatë një ceremonie të posaçme në Doha të Katarit, e cila shënoi fillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga SHBA, mes delegatëve të grupit kryengritës Taleban dhe qeverisë afgane, të njohura si negociatat ndërafgane.
“Ky është një rast vërtet i rëndësishëm. Afganët më në fund kanë zgjedhur të ulen së bashku e të hartojnë një kurs të ri për vendin. Ky është një moment kur mund të guxohet për të shpresuar”, tha zoti Pompeo. Ai paralajmëroi që bisedimet ndërafgane “padyshim do të hasin shumë sfida” për shkak të ndarjeve prej dekadash, por palët siç tha ai do të duhet të “bëjnë durim” për të shfrytëzuar mundësinë e shkrimit të një kapitulli tjetër në historinë e Afganistanit. “Shpresojmë që ky kapitull të jetë ai i pajtimit dhe progresit, jo një tjetër histori lotësh e gjakderdhjeje. Ne ju nxisim të merrni vendime që ju largojnë nga dhuna dhe korrupsioni, drejt paqes dhe prosperitetit”, theksoi zoti Pompeo.
Kryediplomati amerikan vuri në dukje se marrëveshja historike që SHBA-ja nënshkroi me Talebanët më 29 Shkurt, krijoi bazat për fillimin e negociatave të së shtunës mes palëve ndërluftuese në Afganistan. Ndërsa tha se u takonte vetëm afganëve që të përcaktonin një sistem të ardhshëm politik për të qeverisur vendin e tyre, zoti Pompeo shtoi se ai shpresonte që rezultati i bisedimeve të respektojë të drejtat e të gjithë afganëve e të mbrojë përparimin shoqëror të arritur gjatë rreth dy dekadave të fundit. “Ndërsa merrni vendimet tuaja, duhet të keni parasysh se zgjedhjet dhe sjellja juaj do të ndikojë si në përmasën ashtu edhe qëllimin e ndihmës së ardhshme amerikane. Shpresa jonë është që të arrini paqe të qëndrueshme dhe qëllimi ynë është një partneritet i qëndrueshëm”, tha ai.
Gjatë ceremonisë së hapjes udhëheqësi i delegacionit të qeverisë afgane Abdullah Abdullah tha se ekipi i tij ka ardhur në Doha me “vullnetin dhe qëllimin e mirë” për të negociuar me Talebanët për t’i dhënë fund 40 viteve gjakderdhjeje. “Kemi ardhur për të arritur një paqe dinjitoze e të qendrueshme. Nuk ka asnjë fitues përmes luftës apo mjeteve ushtarake, por nuk do të ketë asnjë humbës nëse kjo krizë zgjidhet duke iu nënshtruar vullnetit të popullit”, tha zoti Abdullah, kryetari i Këshillit të Lartë të Afganistanit për Pajtimin Kombëtar. Kreu i delegacionit Taleban Mullah Abdul Ghani Baradar u zotua se ekipi negociues i grupit kryengritës do të hynte në dialogun ndërafgan “me sinqeritet të plotë” dhe theksoi nevojën që palët të bëjnë përpara me durim.
“Ne e sigurojmë botën se do të përpiqemi me aftësinë tonë maksimale në mënyrë që negociatat ndërafgane të arrijnë një rezultat të suksesshëm. Ne kërkojmë një Afganistan që është i pavarur, sovran, i bashkuar, i zhvilluar dhe i lirë, një Afganistan me një sistem islamik në të cilin i gjithë populli mund të marrë pjesë pa diskrimim”, tha ai. Më vonë sekretari amerikan i Shtetit zhvilloi takime të veçanta me zotin Baradar dhe zotin Abdullah, në pranë edhe të ekipeve të tyre negociuese. Bisedimet historike afgane burojnë nga një marrëveshje e arritur mes SHBA-së me grupit Taleban, sipas së cilës të gjitha forcat amerikane dhe të koalicionit duhet të largohen nga vendi deri në mesin e vitit 2021 në këmbim të garancive se kryengritësit do të luftojnë terrorizmit dhe premtimit për një zgjidhje politike mes rivalëve afganë.
Prej nënshkrimit të paktit me Talebanët, SHBA-ja e ka zvogëluar praninë e saj ushtarake në Afganistan në 8,600 trupa nga afërsisht 13 mijë. Por administrata e Presidentit amerikan Donald Trump synon ta zvogëlojë edhe më tej numrin në rreth 4500 deri në nëntor. Analistët parashikojnë se negociatat ndërafgane do të jenë një proces i stërgjatur dhe e me shumë polemika në vazhdim. Negociatat e vështira pritet të zhvillohen me dyer të mbyllura. Palët pritet të trajtojnë çështje që lidhen me kushtet e një armëpushimi të përhershëm, të drejtat e grave dhe pakicave dhe çarmatosjen e dhjetëra mijëra luftëtarëve talebanë dhe milicive besnikë ndaj komandantëve të luftës, disa prej tyre të rreshtuar krah qeverisë.
Bisedimet në kryeqytetin e Katarit, Doha do të përfshijnë gjithashtu çështje që lidhen me ndryshimet kushtetuese dhe ndarjen e pushtetit. Po kështu do të trajtohen çështjet në dukje të zakonshme si flamuri dhe emri i vendit, Republika Islamike e Afganistanit, apo Emiratet Islamike të Afganistanit ashtu siç njihej kur talebanët ishin në pushtet. Mes negociatorëve të caktuar nga qeveria janë dhe katër gra. Ato u zotuan të ruajnë të drejtat e grave në çdo marrëveshje për ndarjen e pushtetit me talebanët e vijës së ashpër. Kjo përfshin të drejtën për të punuar, arsimuar dhe pjesëmarrjen në jetën politike, të gjitha këto të drejta që u janë mohuar grave gjatë sundimit për pesë vjet të Afganistanit nga Talebanët.
Talibanët u rrëzuan nga pushteti në 2001 nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA për shkak se u ishin streha e Osama bin Ladenit, arkitektit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Amerikë. Asnjë grua nuk është përfshirë në ekipin negociues të Talebanëve, të udhëhequr nga shefi i tyre për Drejtësinë Abdul Hakim. Lëvizja kryengritëse ka thënë se pranon të drejtën e një gruaje për të punuar, për të shkuar në shkollë dhe për të marrë pjesë në jetën politikë, por nuk do të pranonte një grua presidente apo kryegjyqtare./VOA
Top Channel