Arrestohet një gazetar për shkak të komenteve të tij për ushtrinë pakistaneze

13/09/2020 04:25

Një gazetar pakistanez është arrestuar në qytetin Karaçi, nën akuzat se ka shpërndarë në rrjetet sociale materiale urrejtëse ndaj ushtrisë së vendit, thanë policia dhe familja e gazetarit.

Bilal Farooqi, që punon për gazetën në gjuhën angleze Express Tribune, është arrestuar në shtëpinë e tij më 11 shtator. “Përmes postimeve në rrjetet sociale, Bilal Farooqi ka shpifur kundër Ushtrisë pakistaneze dhe në këto postime ai ka përdorur elemente anti-shtetërore”, thuhet në raportin policor të cilin e ka parë agjencia e lajmeve Reuters.

Në po këtë raport po ashtu pretendohet se gazetari përmes rrjeteve sociale ka nxitur urrejtje fetare dhe ka tentuar të nxisë kryengritje kundër ushtrisë. Familja e gazetarit Farooqi tha për mediat sociale se policia ka konfiskuar telefonin e tij dhe ka bastisur shtëpinë e gazetarit.

Gazetarët dhe avokuesit për liri të shtypit e kanë akuzuar Ushtrinë pakistaneze dhe agjencitë e tjera se po i bëjnë presion mediave që të zbusin kritikat e tyre ndaj ushtrisë, gjatë raportimeve mediale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA