Mbarimi i efekteve sezonale duket se ka sjellë edhe një stabilizim të kursit të këmbimit në tregun vendas, pasi sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë monedhat kanë shfaqur një rritje gjatë shtatorit.
Pas zhvlerësimit për shkak të fluksit nga turizmi gjatë gushtit, ku monedha e përbashkët europiane shënoi një rënie duke prekur nivelin e 123.3 lekëve, tashmë paraqitet më e stabilizuar në tregun valutor.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro ka rifituar pikë kundrejt lekut dhe shfaqet qëndrueshëm në nivelin e 124.1 lekëve që prej fillimit të shtatorit.
Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara nënçmimi i monedhës europiane ka rezultuar më i moderuar këtë sezon për shkak të prurjeve të ulëta nga turizmi dhe emigrantët , si pasojë e kufizimeve në lëvizje për shkak të pandemisë së Covid-19.
Ndërsa sa i përket monedhës së gjelbër, ajo vijon të humbasë pikë kundrejt lekut.
Dollari amerikan këmbehet sipas kursit zyrtar për 104.6 lekë, duke shënuar sërish një rënie të ndjeshme në tregun vendas ditët e fundit, luhatje që i lidhen kryesisht me zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare.
Top Channel