Situata nga Covid-19 është rënduar, Izraeli drejt rimbylljes

12/09/2020 02:41

Situata e koronavirusit është rënduar edhe në Izrael, deri në atë pikë sa po diskutohet rimbyllja e shtetit hebre për dy javë. Kjo do ta bënte vendin e parë që i kthehet karantinës.

Sipas disa mediave vendase, një masë e tillë mund të merret pas kthimit të kryeministrit Benjamin Netanyahu nga Washingtoni. Ishte komiteti ministror për koronavirusin ai që bëri propozimin e rimbylljes se dytë pas 25 marsit, kur shpërthimi epidemik mbërriti kulmin e tij.

Në fazën fillestare, karantina e parashikuar do të zgjasë dy javë. Fillimi i karantinës do të përcaktohet nga qeveria, por sipas shtypit Izraelit parashikohet që ajo të ndodhë pas të mërkurës, pra pasi Netanyahu të ketë firmosur në SHBA akordet e paqes mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kur masa të hyjë në fuqi, izraelitët nuk do të largohen dot nga banesat e tyre për më shumë se 500 metra. Shkollat do të mbyllen e bashkë me to, edhe aktivitetet private jo të domosdoshme. Lutjet është vendosur të mbahen vetëm në ajër të hapur ose në ambjente që do të kenë dritën jeshile të autoriteteve sanitare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA