E akuzuar për korrupsion, gjyqtarja Mimoza Margjeka njihet sot me masën e arrestit, avokati: Nuk kam marrë as edhe një qindarkë

12/09/2020 12:15

Seanca e gjyqtares së hetuar nga SPAK, Mimoza Margjeka në Gjykatën e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme ka nisur me tension.

Në seancën e sotme në GJKKO kanë mbërritur më parë dy të burgosurit, ndërsa gjyqtarja Mimoza Margjeka ka mbërritur me vonesë, ku sipas disa burimeve për TCH ajo nuk është njoftuar në kohë. Ajo gjithashtu ka refuzuar dhe ka kërkuar që t’i dorëzohet shkresa. Çështja po gjykohet nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi.

Ajo akuzohet se do të merrte 6 mijë euro ryshfet për të liruar një trafikant klandestinësh nga burgu.
Avokati Skënder Demiraj, ka shpërthyer në seancën me dyer të mbyllura duke theksuar se nuk ka marrë asnjë qindarkë as për gjykatën dhe as për veten e tij.

“Në qoftë se do të ishin paguar lekë, do kalonin nëpërmjet meje! Jam 68 vjeç, nuk gënjej dhe më besoni, jo vetëm për gjykatën por as për vete nuk kam marrë asnjë qindarkë. Mendoj se Nejton Bali ka gënjyer nënën e tij për t’i marrë lekët dhe i ka lënë në bixhoz”, ka thënë avokati Demiraj.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raportoi ditën e djeshme se avokati i saj Ilia Ilia, hodhi dyshime se ekziston një përgjim që nuk është transkriptuar , në të cilin një nga familjarët e një tjetër të arrestuari shtetasit Adi Mullalli, profesor fiskulture, flet në telefon me vëllanë e Oltian Balit dhe i thotë të shpejtojë pasi ai i kishte paguar shumën prej 7500 eurosh kryegjyqtarit të kësaj trupe gjyqësore dhe për këtë shkak avokati thotë se “Është aplikuar standard i dyfishtë”.
Top Channel disponon vendimin në të cilën u lirua përballë një garancie pasurore prej 5 milionë lekë të vjetra shtetasi Bali dhe i bashkëdyshuari me të Adi Mullalli, i cili është një profesor fiskulture në Devoll.

Në këtë vendim një nga faktet dhe argumentet që trupa gjyqësore, ka shtruar, si fakt që ata duhet të shkojnë në shtëpi, është fakti i pandemisë si justifikim, pra referuar dhe një vendimi të ministres Gjonaj më herët më 14 prill, gjatë kohës së mbylljes nga pandemia këshillohet që të bëhet kujdes për masat, që të shmangeshin masat arrest me burg, për të ndaluar përhapjen e virusit.
Trupa gjyqësore vlerësoi se Adi Mullalli dhe Bali, ky i fundit tha gjykata se nuk ishte dënuar më parë ndonjëherë, duhet të shkojnë në shtëpi përballë garancisë pasurore, pasi ata nuk paraqesin rrezik për shoqërinë.

Avokati thotë për Top Channel se prania e Margjekës në hotelin ku dyshohet se janë dhënë lekët, nuk ishte për konfirmim nga ana e saj po ajo qëndronte aty sa kohë ajo ishte deleguar aty në gjykatën e Korçës.

Një ditë para se ajo të arrestohej KLGJ i kishte zgjatur mandatin e qëndrimit në detyrë në apelin e Korçës, pasi i përfundonte në shtator.

Top Channel