Transportonin 20 emigrantë të paligjshëm, 1 i arrestuar dhe 2 në kërkim

11/09/2020 13:37

Policia e Shtetit vijon me kapjen e personave që përpiqen të kalojnë emigrantë në mënyrë të paligjshme.

Gjatë kësaj të premteje, forcat blu kanë arrestuar 1 person dhe ka shpallur në kërkim edhe dy të tjerë që merren me këtë aktivitet të paligjshëm.

I arrestuari është një shtetas kosovar i cili u kap duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm në aksin Korçë- Pogradec. 46 vjeçari me iniciale A.G, po i transportonte emigrantë në drejtim të Tiranës me një automjet tip ” Volkswagen”.

Ndërsa dy personat e shpallur në kërkim po transportonin 13 emigrantë  në mënyrë klandestine me dy automjete të ndryshme. Ata nuk i janë bindur urdhrit për ndalim të policisë dhe kanë braktisur mjetet e tyre në afërsi të fshatit Hudënisht të Pogradecit.

Për veprime të mëtejshme, materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec.

Top Channel